Kamenica pa inspektor ndërtimi

Prishtinë | 21 Kor 2018 | 09:22 | Nga

Komuna e Kamenicës nuk ka asnjë inspektor ndërtimi, shkaku i mungesës së mjeteve buxhetore.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Ramadan Basha, ka bërë të ditur se Urbanizmi s’ka inspektor, por thotë se do të plotësohet pozita e inspektorit të ndërtimit me një zyrtar komunal të transformuar nga një vend tjetër pune, ndërsa sa i përket kontraktimit të një kompanie për rrënime, vështirë se do të ndodhë sivjet, ngase s’ka mjete buxhetore, shkruan sot Koha Ditore.

“Nuk e di për cilat arsye nuk ka pasur një kompani të kontraktuar të rrënimit, sepse jam drejtor prej 4 muajsh. Kur të bëhet rishikimi i buxhetit duhet t’i shikojmë mundësitë, por është e vështirë. Për inspektorin e ndërtimit është marrë vendimi që këtë punë ta bëjë një zyrtar komunal, por ai aktualisht është në pushim vjetor dhe sapo të përfundojë pushimin do të nisë punën e inspektorit të ndërtimit”, ka thënë Basha.

Ndërkaq ka theksuar se një pjesë e lokaleve në Kamenicë kanë tejkaluar lejet për shfrytëzimin e sipërfaqeve publike, ndërsa atyre u është dhënë afat që deri në muajin shtator t’i largojnë konstruksionet metalike të vendosura në hapësirat publike.

“Tejkalimi i lejes nënkupton vendosjen e konstruksioneve metalike që nuk është e përshkruar në leje. Kanë kërkuar leje për plate dhe i kanë marrë, ndërkohë që kanë ndërtuar konstruksionet metalike. Ndaj derisa nuk kemi kompani për rrënime këtyre bizneseve u është dhënë edhe një afat që deri më 1 shtator t’i largojnë ato. Pas kësaj date, Komuna do t’i demolojë vetë, po qe se nuk zbatohet urdhëresa komunale”, ka thënë Basha.

Sipas tij, qeverisja komunale ka vazhduar arkëtimin e të hyrave nga sipërfaqet publike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme