Kamionët e “Viktimizimit” në Nju Jork

Prishtinë | 22 Sht 2026 | 18:30 | Nga Arben Fetoshi

(Manovra serbo-ruse e presionit ndaj Perëndimit për ta “kriminalizuar” Kosovën)
Zgjatimi i “viktimizimit serb” me kamionët që kanë eksportuar në Nju Jork fabrikimin e “terrorit të Kurtit”, shpërfaq kalkulimin strategjik të Beogradit e Moskës për të ndikuar audiencën perëndimore me narrativën e “Kosovës represive”.
Duke shfrytëzuar vendin ku është e përqendruar vëmendja politike, diplomatike dhe mediale e botës (Debati dhe Java e Nivelit të Lartë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, 22-29 shtator 2026), aksioni i pretenduar si “humanitar” afishon përmbajtje mashtruese përmes rikornizimit narrativ të disa incidenteve, protestave dhe veprimeve institucionale, pa lidhje me njëra-tjetrën.
Një mekanizëm propagandistik që ka selektuar pamje reale nga ngjarje të ndryshme në kohë, duke i montuar si “prova” për vazhdimësinë e “persekutimit” të serbëve, përforcohet edhe me mesazhe mbështetëse ndaj Presidentit Trump (Kosovo Online, 21.09.2026).


Trazirat e marsit 2004 janë bashkuar me incidente, arrestime e veprime ligjore të mëvonshme (2026), për të ndërtuar rrëfimin e fabrikuar të “vuajtjeve serbe”. Të shkëputura nga konteksti, ato përdoren për ta projektuar modelin e “dhunës”, që ka për qëllim “kriminalizimin” e Republikës së Kosovës.
“Terrori i Kurtit” është vetëm korniza aktuale e një narrative shumë më të gjerë të mediave serbe e ruse kundër Kosovës dhe Perëndimit.
Në dy vitet e kaluara, kamionët-ekranë kombinonin pamje të “brutalitetit” ndaj serbëve me pretendimet për krime të UÇK-së, ndërkaq sivjet, këto të fundit, bazuar në raportimet e deritashme, duket janë hequr pas vendimit dënues të Hagës (Kosovo Online, 21.09.2026). Një gjë e tillë e demaskon reagimin e Vuçiqit si “i pakënaqur” me vendimin ndaj krerëve të UÇK-së (Novosti, 16.09.2026), duke e pozicionuar Serbinë brenda interpretimit të Daçiqit për konfirmimin e “UÇK-së kriminale” (Kosovo Online, 16.09.2026).


Ai ka paralajmëruar se në Asamblenë e Përgjithshme do të flasë me fotografi për pozitën e “rëndë” të serbëve dhe për “hipokrizinë” e Perëndimit, prandaj aksioni me kamionët e propagandës është vizualizim paralel i narrativës së tij, i bashkërenduar edhe me komunikimin strategjik të Rusisë. Vetëm një ditë pas vendimit në Hagë, Sergei Lavrov nuk e përmendi atë, por ritheksoi akuzat ndaj Perëndimit për “standarde të dyfishta”. Ndërkaq, RT Balkan e aktualizoi narrativën e kamionëve përmes titullit “Terrori i Kurtit kundër serbëve ka mbërritur në Nju Jork” (RT Balkan, 21.09.2026).
Mbi këtë bazë, kurthi serb dhe rus në Nju Jork është presioni ndaj Perëndimit lidhur me “gabimin” e vitit 1999. Serbia, duke “argumentuar” me pretendimet sistematike për “luftën kriminale të UÇK-së” si baza e një shteti të “kriminalizuar”, i cili është mbështetur nga “agresioni i NATO-s” dhe vazhdon politikën e “terrorit” ndaj serbëve, ndërsa Rusia, duke “vërtetuar” ndërhyrjen jolegjitime të NATO-s dhe “dyfytyrësinë” e Perëndimit.
Në këtë konstruksion, kamionët-ekranë në Nju Jork marrin peshë të jashtëzakonshme kërcënuese.
Ata kanë eksportuar në kryeqendrën e botës “mallin” më të rrezikshëm për vlerat dhe kohezionin perëndimor, rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe paqen e brishtë në Ballkan.

Të ngjashme