Ekipi i Akademisë së Barcelonës për pesë ditë do të qëndrojë në Kosovë, ku do të stërviten rreth 288 fëmijë. Kampi do të mbahet në Hajvali, ndërsa do të zgjasë pesë ditë, raporton Ekonomia Online.
Kështu u tha të hënën në konferencën për media nga Kampi i Akademisë së Barcelonës në Prishtinë, ndërsa ngjarje pritet të ndodhë gjatë muajit tetor, midis datave 20 deri 24.
Bardh Krasniqi ka thënë se kjo ngjarje është shumë e rëndësishme për Kosovën, ndërsa ka treguar edhe numrin e pjesëmarrësve.
“Tanimë ndër ekipet më të njohura në botë, Barcelona do te jete partner kosovar dhe ky është vetëm fillimi i së ardhmes. Në këtë kamp numri i pjesëmarrësve do të jetë 288 fëmijë”, ka thënë Krasniqi.
Drejtori i Sportit në Komunën e Prishtinës, Kushtrim Mushica, e ka quajtur historike mbajtjen e këtij kampi në Kosovë.
“Një kamp siç është Barcelona ka një histori shumë të madhe të futbollit dhe për ne është diçka shumë e mirë e sidomos për brezin tonë. Që nga dita e themelimit i kujtoj momentet e para të klubit që për qëllim kishte fuqizimin e vajzave në futboll. Është një eksperiencë e mirë për të rinjtë dhe të rejat”, u shpreh Mushica.