Njëqind kilometra nga Srebrenica, 400 femra farefis dhe të mbijetuara të gjenocidit të vitit 1995 ende jetojnë në një kamp të rrënuar të përkohshëm ku gjetën strehë dhe thonë se s’do të kthehen kurrë në shtëpi.
Kur punonjësit e ndihmës dalin nga makina në kampin e refugjatëve në qytetin boshnjak të Tuzlës, fëmijët vrapojnë drejt tyre.
“Dobar dan! Dobar dan!” bërtasin ata, duke u uruar një ditë të mbarë.
Sanja Markoviç, një punonjëse sociale, po i takon ata në emër të organizatës jo fitimprurëse Snaga Zene (Pushteti i Femrave). Ajo tashmë ka dy vjet që i njeh ata dhe u kërkon të gjejnë nënat e tyre.
Një djalë, i armatosur me një armë plastike lodër, vrapon drejt një prej shtëpive me ngjyrë të bardhë të zbehur ndërsa qëllon armiq imagjinarë përreth tij.
Sjellja e hareshme e fëmijëve bie në kontrast me pamjen e nënave të tyre që po vijnë një e nga një në ndërtesën kryesore të kampit. Bluzat e tyre të zbardhura dhe xhaketat e vjetra varen në shpatullat e tyre të mbledhura.
“Mos u bëni konfuzë nga flokët e tyre të thinjura dhe rrudhat në fytyrë,” thotë Markoviç. “Janë më pak të moshuara nga sa mendoni. Kur arritëm këtu për herë të parë, e ngatërrova një 40 vjeçare për një 60 vjeçare. Ka shumë probleme shëndetësore për shkak të varfërisë.”
Në këtë zonë të zonës malore, 20 km larg Tuzlës, mundësitë e transportit janë të kufizuara, dhe gratë e kampit Jezevac ndihen shumë të izoluara dhe të harruara.
“Banorët e Tuzlës s’e dinë që këtu është një kamp dhe s’kanë asnjë ide për kushtet e jetesës këtu. Askush nuk vjen këtu,” thotë Markoviç.
Një rrugë me baltë të çon në një grup shtëpish të baardha që u ndërtuan nga Kombet e Bashkuara për të strehuar gratë dhe disa burra që i mbijetuan gjenocidit në Srebrenicë. Jezevaci është një nga tre kampe të tilla për njerëz të zhvendosur në zonën e Tuzlës.
Ata u ndërtuan si strehim i përkohshëm, por 22 vjet më vonë, ka ende 1,350 familje që jetojnë në kampe si ky, nga të cilat 398 vijnë nga Srebrenica.
“Ato janë më të dobëtat, s’mund të kthehen pas,” thotë Branka Antiç-Stauber, drejtoresha e Snaga Zene.
Organizata e saj është e vetmja që viziton ende rregullisht kampin Jezevac. Çdo javë, psikologë, punonjës social, këshillues ligjor dhe doktorë kontrollojnë banorët e zhvendosur të kampit.
“Ne bëjmë punën që duhet të bëhet nga qeveria,’ thotë Antiç-Stauber.
Znaga Zene mbështetet kryesisht në ndihmë nga jashtë. Qeveria holandeze dhe gjermane kanë paguar për disa projekte gjatë dhjetë viteve të kaluara, por për shkak të nevojës për ndihmë të vazhdueshme, organizata mbështetet gjithashtu edhe te vullnetarët.
Duke mbledhur qymyr
Njëzetë e dy vjet më parë, më 11 korrik 1995, Ushtria Serbe e Bosnjës zuri gratë e Srebrenicës. Ato u ndanë nga burrat dhe u çuan në Tuzla.
Disa prej tyre kishin arritur t’ia mbathnin më parë, duke iu shmangur plumbave dhe bombave ndërsa shkonin drejt Tuzlës. Më shumë se 8,000 burra u masakruan në ditët që pasuan.
Kur lufta në Bosnjë përfundoi, Srebrenica ishte shndërruar një qytet i gjithë me serbë. Banorët e saj boshnjakë ose ishin vrarë ose ishin arratisur.
Qeveria boshnjake dhe komuniteti ndërkombëtarë organizuan projekte të mëdha për të stimuluar rikthimin e të mbijetuarve në Srebrenicë, por progresi ishte i ngadaltë.
“Gratë e para që u rikthyen në vitin 2002 ishin jashtëzakonisht kurajoze,” thotë Antiç-Stauber.
“Srebrenica ishte e zezë dhe gri, kishte shumë pak perspektivë. Gratë jetonin në rrënojat e shtëpive të tyre të vjetra. Ato erdhën me shpresën se do të gjenin një shenjë jete nga djemtë e tyre që s’ishin gjendur ende.”
Snaga Zene ndihmoi gratë dhe u përpoq, bashkë me shumë OJQ dhe programe të tjera të themeluara nga qeveri të huaja. Në përmirësimin e kushteve të jetesës në Srebrenicë.
Ndërsa e bënin këtë ngadalë, numri i të rikthyerve u rrit, kampet e refugjatëve u bënë më pak të populluar dhe midis vitit 2002 dhe 2010, rreth 5,000 deri në 6,000 boshnjakë të zhvendosur nga lufta u kthyen në zonën përreth Srebrenicës.
Sot shtëpitë e vogla prej 35 metër katror në kampin Jezevac banohen ende nga grupe me nga pesë deri në 11 persona, por gratë i mbajnë mend ende kohët kur ato jetonin në grupe me më shumë se 20 vetë.
“Disa prej grave s’u bëhej vonë për higjienën,” thotë një banore e kampit, Fatima Mehmedoviç.
Flokët e saj të zeza kanë fije gri nëpër të dhe ajo ngjan sikur është në fund të të gjashtëdhjetave, megjithëse ajo është 45 vjeçe. Vetëm zëri i saj i thellë dhe i fortë e tradhton moshën e saj më të re.
Çdo muaj, banorët e Jezevacit marrin paketa përkujdesi me ilaçe dhe ushqime, por kjo nuk i mbulon nevojat e tyre. Shumica e tyre bëjnë punë informale në një minierë qymyri pranë kampit.
Ato dalin gjatë natës, kur kamionët transportojnë qymyr dhe mbledhin copat që bien nga rimorkiot. Nga kjo, ata fitojnë rreth 10 euro për person çdo natë.
“Është e jashtëligjshme dhe shumë jo e shëndetshme,” thotë punonjësja sociale Sanja Markoviç. “Por ato duhet të hanë dhe të blejnë libra shkollorë.”
Ndërkohë që kopshtet në Srebrenicë dalëngadalë rimarrin ngjyrë dhe Snaga Zene ndihmon të rikthyerit të mbjellin lule të cilat ato mund t’i shesin, Jezevaci mbetet një vend i vështirë për të jetuar.
“Tensionet e të jetuarit bashkë janë të larta këtu,” thotë një tjetër banore e kampit, Dzejna Hasiç.
“Ne duam të jetojmë pranë njëri-tjetrit dhe s’kemi çfarë të bëjmë. Shikon gjithmonë të njëjtët njerëz dhe të gjithë janë në depresion. Ka shumë zënka.”
Pa kthim pas
Pavarësisht faktit se gratë e Jezevacit nuk janë kthyer kurrë në Srebrenicë, ato ende mendojnë shumë për vendlindjen e tyre.
“Srebrenica e para luftës!” psherëtin banorja e kampit Hasmeta Mehmedoviç, duke kujtuar jetën e begatë të familjes së saj fermere.
“Kishim shumë lule, fara dhe perime. Kishte mjaftueshëm para dhe jeta ishte e mirë, por nëse kthehem tani, kam ndjesinë sikur s’kam jetuar kurrë atje. Qyteti më duket i çuditshëm dhe nuk i njoh njerëzit që jetojnë atje tani. Miqtë e mi të vjetër u larguan ose vdiqën.”
Shtëpitë në kamp që dikur synonin të ishin të përkohshme tashmë janë shndërruar në një shtëpi të përhershme për gratë dhe ato nuk duan ta ndryshojnë këtë për idenë e e pasigurt dhe të frikshme të kthimit në Srebrenicë.
Shumica e tyre kanë vizituar varret e të afërmve të tyre në kompleksin e madh të memorialit dhe varreve në Potoçari, pranë Srebrenicës, por thonë se është shumë e vështirë për ato që të kthehen në qytet.
“Jo, nuk do të kthehem kurrë,” thotë Mehmedoviç.
“Si duket Srebrenica sot?” pyet një nga gratë e tjera, me një lloj melankolie në sytë e saj.
Antiç-Stauber beson se gratë që nuk janë kthyer dhe kanë qëndruar në Jezevac janë ato që “nuk janë shëruar nga trauma e tyre”.
Por në të njëjtën kohë, ato do të duhet të largohen së shpejti nga kampi.
Qeveria ka njoftuar se do ta mbyllë Jezevacin në vitin 2018 dhe gratë që nuk janë ende në gjendje të kthehen do të zhvendosen në banesa sociale në dhe rreth Tuzlës.
Pasi i përmendim këtë gjë grave që janë mbledhur në ndërtesën kryesore të kampit, ato të gjitha fillojnë të bërtasin.
“Si do të jetoj unë, pra?” pyet njëra. “Unë nuk dua të jem vetëm!” thërret një tjetër.
“Qeveria nuk bën asgjë për ne,” këmbëngul Hasiç. “Snaga Zene është organizata e vetme që kujdeset për ne.”
Antiç-Stauber thotë se Snaga Zene është e vendosur të vazhdojë të punojë, edhe pse pas 22 vjetësh, subvencionet dhe ndihmat nga jashtë kanë rënë dhe po bëhet gjithnjë e më e vështirë për të paguar punonjësit e saj.
Sanja Markoviç, punonjësja sociale, tashmë është larguar nga organizata.
“Ne po reduktojmë pagesat tona midis 350 dhe 500 euro në muaj,” thotë një ekonomiste që punon për Snaga Zene, duke gjetur tregje për lulet dhe produktet bujqësore që prodhohen nga gratë që janë kthyer në Srebrenicë.
“Nëse paratë nga komuniteti ndërkombëtar zhduken plotësisht, nuk e di fare se çfarë do të bëjmë. Shumë prej nesh tashmë punojnë pjesërisht vullnetarisht.”
Gratë e Jezevacit shpresojnë që ekipet e lajmeve televizive do të vazhdojnë të vijnë në Srebrenicë për përkujtimoret çdo vit në korrik, por ato shpresojnë gjithashtu që gazetarët të marrin një çast kohë për t’i kthyer kamerat e tyre nga ato që nuk arritën kurrë të ktheheshin në shtëpi dje gjendja e të cilësve është anashkaluar.
Fatima Mehmedoviç i përmbledh ndjenjat e grave në një fjali të shkurtër: “Të gjithë na kanë harruar,” thotë ajo.