Kampi Vuçjak do të nisë të mbyllet nga e hëna

Prishtinë | 06 Dhj 2019 | 15:24 | Nga Ekonomia Online

Kampi Vuçjak në Bosnje dhe Hercegovinë, i improvizuar për migrantë, do të nisë të mbyllet të hënën, tha ministri për Siguri i Bosnjës, Dragan Mektiq.

“Migrantët do t’i zhvendosim në qendra të pranimit, ndërsa hapësira e Vuçjakut do të pastrohet”, tha ai.

Autoritetet në Bosnje janë përballur me kritika nga grupet e të drejtave të njeriut dhe Bashkimi Evropian për kushtet e rënda, në të cilat mbahen migrantët në Vuçjak.

Ky kamp ndodhet në afërsi të një zone me mina, që kanë mbetur nga lufta e viteve 1992-95.

Atje mungon uji, energjia elektrike, tualetet dhe shtretërit.

Me afrimin e dimrit, presioni është rritur dhe përfaqësuesja e lartë për të drejta të njeriut në Këshillin e Evropës, Dunja Mijatoviq, ka paralajmëruar këtë javë se “njerëzit në Vuçjak do të fillojnë të vdesin”.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, në Bosnje aktualisht ndodhen rreth 7,500 migrantë – kryesisht të ikur nga luftërat në Lindjen e Mesme.

Migrantët që synojnë të arrijnë në Evropë, shpesh hyjnë në Bosnje përpara se të kalojnë në Kroaci – vend anëtar i Bashkimit Evropian – dhe të vazhdojnë më pas tutje më në perëndim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme