Kampionati në Bjellorusi fillon në kohën kur të gjitha ligat tjera janë pezulluar

Prishtinë | 19 Mar 2020 | 20:29 | Nga Ekonomia Online

Futbolli është ndërprerë thuajse në gjithë botën për shkak të pandemisë së Coronavirusit.

Por në Bjellorusi kampionati i ri ka nisur të enjten, ndërsa lejohen edhe shikuesit në stadiume.

Skuadra Enegetik BGU ka fituar 3:1 ndaj BATE Borisovit në ndeshjen hapëse, ndërsa në stadium janë parë të paktën disa qindra shikues.

Më herët, presidenti i Federatës së Futbollit të Bjellorusisë, Vladimir Bazanov ka thënë se janë vetëm 51 raste me koronavirus në këtë vend dhe se nuk ka arsye për të mos filluar edicionin e ri.

“Për çfarë arsye duhet të mos fillojmë? A është deklaruar gjendja emergjente në shtetin tonë? Nuk ka situatë kritike. Kështu që ne kemi vendosur të fillojmë kampionatin në kohën e duhur. Sot”, ka thënë ai.

Bazanov ka theksuar se nuk ka arsye për të ndaluar shikuesit, si kanë vepruar shumë liga tjera para se të pezullonin ndeshjet.

“Po, shumë ndeshje në Evropë janë luajtur pa shikues. Por kaq shumë shikues mblidhen rreth stadiumeve sa nuk ka kuptim të mbyllim ata”.

Kryetari i Federatës ka thënë se ai vet do të përcjellë disa ndeshje.

“Nëse keni përcjellë kampionatin e kaluar e dini që unë vazhdimisht jam në ndeshje. Në xhiron e parë unë planifikoj të përcjell tri ndeshje”, ka thënë ai.

Të enjten u luajt edhe ndeshja në mes të Shakhtyor Soligorsk dhe Torpedo Zhodino. Gjashtë ndeshje tjera janë prej të premtes deri të dielën.

Po të enjten një ndeshje është luajtur në Brazil e dy në Palestinë. Në tjerat vende nuk ka pasur ndeshje futbolli.


Të ngjashme