Kampioni i dyfishtë olimpik Alistair Brownlee ka kthyer garazhin e shtëpisë së tij në Leeds në një pishinë, për të mbajtur veten në formë gjatë periudhës së izolimit shkaku i Coronavirusit, shkruan gazeta “The Sun”.
Brownlee 31-vjeçar erdhi te kjo ide kur u vendos në shtëpi para se të aplikoheshin masat kufizuese në Britani. Kjo nënkupton se ai mund të vazhdojë me stërvitjet e notit, ndërsa sporti mbetet i izoluar.
Alistair dhe vëllai i tij Jonny (29) ishte paraparë të garonin këtë fundjavë në Bermuda në kuadër të Serisë Botërore të Triathlonit, garë që do të shërbente edhe për kualifikime për Lojërat Olimpike.
Krerët e triathlonit mund të jenë të detyruar të anulojnë stinorin, ndërsa Lojërat Olimpike “Tokio 2020” janë pezulluar për një vit.
Por, Alistair po vazhdon të mbajë formën dhe synon të fitojë të artën olimpike për herë të tretë.
“Unë po bëj çfarë po mundem dhe atë që kam bërë gjithmonë, ndërsa po respektoj udhëzimet”, ka thënë Alistair.
Ai është duke përdorur teknika të ngjashme të ushtrimeve që kishte aplikuar kur mori lëndim të rëndë disa muaj para Lojërave Olimpike në Londër në vitin 2012. Ai atëbotë ishte kthyer në formë dhe kishte fituar të artën.
“Ishte vendimtare. Për gjashtë javë, nuk po mund të bëja asnjë vrapim. Kështu që atëherë kisha bërë vetëm not. Në këtë pishinë është sikur të notosh në një rrymë të fortë detare. Unë po notoj në një vend, ndërsa uji lëviz rreth meje. Unë po bëj not 40 deri 45 minuta, çdo mëngjes. Shpresoj që të jem në formë të mirë në kohën për Lojërat Olimpike”, ka thënë Alistair Brownlee.