Kampionia e Kosovës angazhon golashënuesin e katërt më të mirë të kampionatit spanjoll

Prishtinë | 14 Kor 2020 | 16:43 | Nga Ekonomia Online

Dominimi në skenën vendore nuk ka qenë problem për Besa Famgas, skuadrën e hendbollit që ka mbledhur thuajse gjithë trofetë në vitet e fundit. Por klubit pejan i ka munguar ecja e synuar para në skenën evropiane.

Për më shumë sukses në Evropë në edicionin 2020/2021, Besa Famgas ka vendosur, ndër të tjera, të angazhojë edhe një hendbollist cilësor nga Spanja.

Klubi pejan të hënën mbrëma e ka prezantuar spanjollin Victor Alonso si përforcim të ri për edicionin e ardhshëm të garave. Besa më herët këtë vit angazhoi trajnerin spanjoll Javier Cabanas. Në përbërje e ka edhe kapitenin e Bosnjë-Hercegovinës, Nikola Prce dhe shumë reprezentues të Kosovës. Me këta dhe eventualisht ndonjë përforcim tjetër deri në vjeshtë, Besa Famgas synon hapa para në skenën evropiane. Ka pasur lëvizje para deri më tani, por jo aq sa është pritur.

Victor Alonso Garcia luan me dorë të majtë, ndërsa të dhënat zyrtare në sajtin e Federatës spanjolle tregojnë se ai ishte golashënuesi i katërt më i mirë në edicionin e fundit të kampionatit spanjoll, që u ndërpre për shkak të pandemisë. Në 19 ndeshje, Garcia, që ishte pjesë e skuadrës Angel Ximenez Avia Puente Genil, ka shënuar 96 gola. Adrian Figueras Trejo, Juan Castro Alvarez dhe Gianluca Dapiran kanë shënuar më shumë se ai.

Angel Ximenez ishte në vend të tetë kur u ndërpre edicioni. Garcia 30-vjeçar, ka luajtur për këtë skuadër për një vit e gjysmë. Nga viti 2015 deri në vitin 218 luajti për skuadrën franceze Creteil. Një përvojë të shkurtër e ka pasur te skuadra rumune Stiinta Dedaman Bacau.

Në Spanjë, në nivel elitar, ka luajtur prej vitit 2008 për skuadra si Portland San Antonio, Oviedo, Valladolid, BM Nava, Club Balonmano Atletico de Madrid dhe Ademar Leon.

“Vendimi që të vijë në Kosovë ishte shumë i lehtë. Në momentin e parë që Enis Idrizi (kryetar I klubit) dhe trajneri Cabanas më thirrën, e kam ditur se do të vij atje. Më pëlqejnë sfidat”, ka thënë Garcia për KOHËN të martën.

Para se të fliste me trajnerin Cabanas, Victor Garcia nuk ka ditur asgjë për hendbollin në Kosovë. Pas bisedave të shumta me trajnerin spanjoll, që udhëhoqi Besën drejt Kupës dhe titullit të kampionit të Kosovës, Garcia mori të gjitha shpjegimet dhe informatat që i duheshin. Ka shikuar për Pejën në internet dhe i kanë pëlqyer të gjitha gjërat.

“Synimi im me Besën është të fitojë të gjitha garat ku do të luajmë. Do të mundohem të jap më të mirën në secilën ndeshje”, thotë hendbollisti spanjoll.

Me 17-vjet, Victor Garcia ka luajtur për Portland San Antonio. Njëri prej klubeve të tij, Atletico Madrid, është shuar për shkaqe ekonomike. Nga klubi rumun ishte larguar për shkak të mospagesës.

“Rezultatet më të mira i kam arritur në Valladolid, isha shumë i ri dhe kam luajtur kundër ekipeve shumë të mira dhe me nivel të mirë. Kam fituar disa herë ndaj Barcelonës. Në Ademar de Leon dhe këtë vit, kam përfunduar në mesin e pesë golashënuesve më të mirë”, ka treguar Garcia.

Ai tregon se ka luajtur edhe për Spanjën, fillimisht me grupmoshat e reja e më pas edhe me seniorët.

“Kam luajtur për Spanjën që nga mosha 15-vjeçare. Nuk më kujtohet saktësisht kur kam nisur të luaj me ekipin e parë, mendoj se kam qenë 22 apo 23 vjeçar. Kam filluar me miqësore, ndërsa i kam edhe dy apo tri ndeshje zyrtare. Punoj fort për kthim në përfaqësuese, por nuk jam i obsesionuar me këtë. Unë punoj fort, por trajnerit i takon të vendos”.

Garcia ka vendosur për Besën ndonëse thotë se ka pasur oferta të shumta nga Spanja.

“Gjithnjë kam luajtur në ligën elite në Spanjë. Kam pasur opsione të shumta për të qëndruar në Spanjë, në ekipe të mira madje. Kam pasur oferta edhe nga vende tjera. Por më pëlqen Besa dhe dua të provoj një sfidë të re këtu”.

Të ngjashme