Majlinda Kelmendi tashmë është në Baku të Azerbajxhanit, ku prej të së enjtes (sot) mbahet kampionati botëror i xhudos. Majlinda si xhudiste kulmore e ka respektin e garuesve të tjerë, por edhe të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.
Të mërkurën së bashku me trajnerin e saj Driton Kuka kanë mbajtur fjalim në një konferencë të IJF-së për barazi gjinore, pjesë e një paneli të përzgjedhur nga komuniteti i xhudos, shkruan sot Koha Ditore.
Por botërori i vitit 2018 nuk është i zakontë për Majlindën, sportisten më të mirë shqiptare të të gjitha kohërave. Majlinda është në botëror, por nuk garon në botëror.
27-vjeçarja ende nuk ka sanuar një lëndim që e pësoi në botërorin e vitit të kaluar dhe për këtë arsye nuk garon në Baku të Azerbajxhanit. Ajo ka lënduar gjurin në gushtin e vitit të kaluar dhe më pas i është nënshtruar një intervenimi. Por ka kohë që Majlinda është përballur edhe me dhembje në shpinë.
Ishte trajneri Driton Kuka që këshilloi Majlindën të heqë dorë nga botërori, për të mos rrezikuar kthimin e suksesshëm të saj.