Kanadaja do të ndihmojë palestinezët në Gaza, Liban, Jordani dhe në Bregun Perëndimor me 62.5 milionë dollarë, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministrja kanadeze për Zhvillim Ndërkombëtar Marie-Claude Bibeau deklaroi se refugjatët palestinezë përballen me probleme të mëdha si papunësia dhe mungesa e ushqimit.
Ajo konsideron se Kanadaja mbështet stabilitetin në rajon duke ndihmuar në përmbushjen e nevojave humanitare për palestinezët. Bibeau konfirmoi se nëpërmjet Agjencisë së Ndihmës dhe Punësimit të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), do të ofrojë ndihmë prej 50 milionë dollarë për dy vite.
Për fëmijët palestinezë do të ndahen 12.5 milionë dollarë. Bibeau thotë se ndihma e Kanadasë do të kontribuojë në përmirësimin e jetës së miliona refugjatëve palestinezë dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Kjo do të ndihmojë ndër të tjera për edukimin e qindra mijëra fëmijëve, në edukimin e mësuesve dhe mbështetjen e klinikave shëndetësore.
Sipas të dhënave më të fundit, Kanadaja që nga viti 2016 e deri më tani për ndihma ka ndarë 172.5 milionë dollarë.