Kanadaja thotë se disa trupa do të largohen përkohësisht nga Iraku

Prishtinë | 08 Jan 2020 | 13:02 | Nga Ekonomia Online

Disa prej 500 trupave ushtarakë të Kanadasë të vendosur në Irak do të transferohen përkohësisht në Kuvajt për arsye sigurie.

Kështu ka thënë një zyrtar i lartë ushtarak i vendit të martën, duke shtuar se një lëvizje e tillë po bëhet për shkak të frikës nga hakmarrja e mundshme pas një sulmi ndaj komandantit të lartë ushtarak të Iranit.

Gjenerali Jonathan Vance, shefi i shtabit të mbrojtjes, tha në një letër drejtuar familjeve ushtarake se “lajmet që vijnë nga Lindja e Mesme janë alarmante për shumë prej jush”.

“Disa nga njerëzit tanë do të transferohen përkohësisht nga Iraku në Kuvajt”, shtoi ai. “E thënë thjesht, ne po e bëjmë këtë për sigurinë e tyre”.

Disa nga trupat kanadeze po marrin pjesë në një mision të NATO-s ndërsa të tjerët po kryejnë Operation Impact, një iniciativë kanadeze për të trajnuar ushtarë në Irak, Jordani, Liban dhe Kuvajt.

Siç bëhet e ditur, në përgjithësi, rreth 800 trupa kanadeze janë në Lindjen e Mesme.

Më parë gjatë ditës, NATO tha që po largonte disa prej trajnerëve të saj nga Iraku, pa dhënë detaje, transmeton telegrafi.

Ndërkohë, kryeministri kanadez Justin Trudeau thuhet të ketë biseduar të hënën me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe të dy “theksuan rëndësinë de-eskalimit të tensioneve të përshkallëzimit dhe nevojën për të mbështetur sigurinë dhe stabilitetin në Irak”, tha zyra e Trudeau në një deklaratë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme