Ka më shumë se pesë vjet që po lufton me sëmundjen e kancerit. Por, ajo nuk po dorëzohet. Me vullnet, buzëqeshje e përkushtim, Fatmire Ismaili, 47 vjeçe nga Prishtina po arrin që ta mposht këtë sëmundje.
Por si rasti i 47-vjecares nga Prishtina, ka edhe qindra të tjerë. Vetëm gjatë katër muajve të parë të këtij viti, në Klinikën e Onkologjisë të QKUK’së, trajtim mjekësor për sëmundjen e kancerit kanë kërkuar 482 kosovarë.
Kështu i ka thënë Expressit, gjatë ditës së sotme, drejtori në Klinikën e Onkologjisë, Ekrem Hyseni. Ai ka shpjeguar rreth numrit të këtyre rasteve. Sipas Hysenit, kjo shifër me raste të reja të prekura me kancer është më e ulët e sa ajo e katër muajve të parë të vitit 2017.
“Gjatë muajve janar deri në muajin prill të këtij viti në klinikën tonë janë paraqitur 482 raste të reja me kancer. Ndërkohë, vitin e kaluar për periudhën e njëjtë i kemi pasur 511 raste”, ka thënë Hyseni . Ai ka shpjeguar edhe për llojin më të shpeshtë të kancerit nga i cili po preken kosovarët.
“Kanceri më i shpeshtë është ai i gjirit, mushkërive dhe zorrës së trashë”, thotë drejtori I klinikës së Onkologjisë.
Por kosovarët të cilët vuajnë nga kanceri në dy javët e para të muajit maj janë ballafaquar me mungesë të terapisë së për kimioterapi në Klinikën e Onkologjisë. Përveç kësaj terapie, Onkologjia ende ballafaqohet me mungesë të disa terapive.
“2 javët e para të muajit Maj ka pas mungesa në furnizim, por pas datës 10 Maj ky furnizim është stabilizuar dhe tani kemi shumicën e produkteve. Edhe produktet që mungojnë jemi informuar nga MSH se brenda javës plotësohen”, ka sqaruar më tej Ekrem Hyseni, drejtor në klinikën e Onkologjisë në QKUK.
E për furnizimin me terapi dhe ilaçe, për pacientët që vuajnë nga kanceri është deklaruar edhe kryetarja e Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, Besa Baftiu. Ajo ka thënë se Ministria e Shëndetësisë duket të bëjë më shumë për furnizim me barna.
Baftiu ka shprehur shqetësimin për numrin e madh të të prekurve nga kjo sëmundje.
“Shifrat e qytetarëve të prekur me kancer janë shqetësuese. Numri për çdo vit është duke u rritur. I kemi rreth 1 mijë e 500 raste të raportuara, e janë edhe disa raste të tjera të cilat janë trajtuar jashtë QKUK’së. Ne këtë shqetësim e kemi shprehur edhe në komision. Sfidat e pacientëve për trajtimin e kësaj sëmundje në Kosovë janë të mëdha, mungesa e barnave dhe çmimet janë të mëdha në treg. Por ne si komision kemi besim që ministri i shëndetësisë do të merret më shumë me këtë punë”, i ka thënë Baftiu Express-it.
Megjithëkëtë, shifrat e kosovarëve që po preken nga kanceri nga viti në vit po shtohen. Vetëm gjatë vitit që shkoi rreth 1 mijë e 500 kosovarë janë diagnostikuar me kancer, 334 raste më shumë se në vitin 2016.
Lloji më i shpeshtë i kancerit po del të jetë ai i mushkërive tek meshkujt dhe kanceri i gjirit tek femrat. Sidoqoftë, hulumtimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tashmë kanë tërhequr vërejtjen se me një kujdes më të madh të njerëzve, sëmundja e kancerit edhe mund të parandalohet në shumë mënyra.