Kandidati për komunën e Prishtinës nga Aleanca Kosova e Re (AKR), Gëzim Mehmeti, ka bashkëbiseduar me banorët e fshatit Makovc, ku tha se ky vend është atraktiv dhe se do të punojë që të shndërrohet në një fshat të zhvilluar, raporton Ekonomia Online.
Mehmeti ishte së bashku me nënkryetarin e komunës së Prishtinës, Selim Pacolli dhe kandidatin për asamble komunale Granit Krasniqi.
Pacolli tha se bashkë me kandidatët këtu është një detyrë e madhe që të fitojnë besimin e qytetarëve.
Ai shtoi se ne fshatin Makovc ka probleme të shumta, duke cekur kolektorin si një ndër problemet kryesore në këtë fshat.
“Kemi ditë jemi organizua dhe me motiv për t’i kundërvë represionit gjatë viteve të 90-ta bashkë me Milaim Krasniqin sot që është këtu. Nga ky organizim këtu ne jemi argatët e juaj duke ju inkurajuar që të fitoni besimin e qytetarëve, dhe t’i ktheni mbrapa detyrimet e juaja që ju besohen”.
“Një ndër problemet në këtë fshat është kolektori, ku unë vet kam punuar në këtë drejtim, në mënyrë që të bëhet zgjidhje e këtij aksi rrugor”, tha ai.
E kandidati për Prishtinën, Gëzim Mehmeti, gjatë këtij takimi u tha banorëve të këtij fshati mbi zotimet e tij dhe punën që thekson se do ta bëjë, duke cekur këtu edhe ndërtimin e kolektorit dhe Shtëpisë së Kulturës.
Mes tjerash ai tha se ka shumë punë për t’u bërë, dhe shumë plane që i presin në kuadër të plan programit të tij të cilin e shpalosi para banorëve.
“Kemi kryer shumë punë për Prishtinën, dhe puna e kolektorit tashmë veçse është kryer. Këtu është kënaqësi të punohet sepse në këtë fshat shihet puna që bëhet”.
“Do ishte një zhvillim i madh nëse do niste nga ky fshat sepse ka benefite që të jetë vend atraktiv. Problem këtu ka qenë besim tek institucioni dhe ai kthehet kur ka transparencë”.
Në anën tjetër kandidati për Asamble Komunale nga kjo parti, Granit Krasniqi u tha banorëve se së bashkë mund të punojnë për të zhvilluar Prishtinën, shkruan EO.
“Kam vendosur që të marr pjesë në këto zgjedhje sepse me profesion jam ekonomist, dhe mendoj që mundemi me bë shumë në këto zgjedhje, e për Prishtinën”, tha ai.