Kandiq i jep një porosi Vuçiqit se si ta nisë takimin e 27 shkurtit

Prishtinë | 23 Shk 2023 | 14:18 | Nga Ekonomia Online

Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiq, ka dalë me një porosi për presidentin serb Aleksandar Vuçiq, para takimit të këtij të fundit në Bruksel me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, më 27 shkurt në Bruksel do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Në vigjilje të këtij takimi ka reaguar humanistja Natasha Kandiq, e cila i ka propozuar presidentit serb, që takimin ta nis me një deklaratë, që ka të bëjë me ndërtimin e një memoriali në Batajnicë, ku u groposën dhe dogjën kufomat e viktimave civile shqiptare të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

“Nëse takimi në Bruksel nis me deklaratën e Vuçiqit se Serbia do të ndërtojë një memorial në territorin e kampit të Njësisë Antiterroriste Serbe në Batajnicë në kujtim të 800 personave, të vrarë në Kosovë, të transferuar në kampin e policisë, ku përmes makinerisë dhe zjarrit u rrafshuan me tokë, do të fillonte ‘normalizimi’ i raporteve”, tha Kandiq, përmes një postimi në Twitter.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thirrur për 27 shkurt takimin në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Të ngjashme