Trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino, po shpreson se Harry Kane do të rikuperohet në kohë për të luajtur në finale të Ligës së Kampionëve më 1 qershor, mirëpo vetë anglezi pret që ta ketë të ështirë ta zë një vend në formacionin e parë.
Lucas Moura ishte heroi i Tottenhamit në ndeshjen e mbrëmshme gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pasi që het-triku i tij ia siguroi klubit të Premierligës një vend në finale të këtij sezoni.
Lucas bashkëpunoi me Son Heung-Min në fazën e sulmit për Tottenhamit, në mungesë të Harry Kane, i cili ka munguar në skuadrën e klubit londinez që nga prilli, për shkak të një lëndimi të kyçit të këmbës.
Ylli anglez po shpreson se do të mund të rikuperohet në kohë për të luajtur në finale të Ligës së Kampionëve, mirëpo beson se do ta ketë të vështirë t’ia zë vendin ndonjërit prej heronjve të mbrëmshëm në formacionin e parë.
“Shpresoj se do të jem gati për finale. Rikuperimi po më shkon mirë. Fillova të vrapoj në vija të drejta këtë javë. Nuk dua të marr ndonjë rrugë të shkurtë. Do ta shohim. Deri tani gjithçka ka shkuar mirë. Nëse vazhdon kështu, shpresoj se do të jem gati”, ka thënë Kane.
“Lucas shënoi het-trik, ne e mposhtëm Manchester Cityn në çerekfinale e Ajaxin në gjysmëfinale. Unë duhet të kthehem edhe më fuqishëm në stërvitje dhe ta dëshmoj veten para trajnerit. Shpresoj se do të jem gati dhe do ta zë një vend në formacionin e parë”.
Tottenhami udhëtoi në Holandë për t’u përballur me Ajaxin, që ndeshjen e kaluar në Londër e kishte fituar me rezultat 1:0. Anglezët shpresonin se do ta barazonin rezultatin e përgjithshëm qysh në fillim të ndeshjes, mirëpo pjesa e parë u mbyll me epërsinë 2:0 të holandezëve.
Matthijs de Ligt dhe Hakim Ziyech shënuan nga një gol në pjesën e parë të ndeshjes kthyese në gjysmëfinale dhe ia dhanë Ajaxit epërsinë 2:0, apo me rezultat të përgjithshëm 3:0.
Megjithatë, kjo epërsi prej tri golave nuk i mjaftoi holandezëve, pasi që Tottenhami u kthye fuqishëm në pjesën e dytë dhe Tottenhami arriti të kualifikohet në finale për shkak të het-trikut të Lucas Mouras.
Edhe pse rezultati i përgjithshëm i përballjes mes Ajaxit dhe Tottenhamit ishte 3:3, londinezët u kualifikuan në finalen e Ligës së Kampionëve për shkak të epërsisë me gola të shënuara si mysafirë.
Tani, Tottenhami do të takohet me Liverpoolin në finalen angleze të Ligës së Kampionëve, e cila do të zhvillohet më 1 qershor në stadiumin e Atletico Madridit, “Wanda Metropolitano”.