Kaos në aeroportet greke, pezullohen fluturimet pas problemeve me frekuencat radio

Prishtinë | 04 Jan 2026 | 15:48 | Nga Ekonomia Online

Një defekt teknik bllokoi trafikun ajror në të gjithë Greqinë. Mediat greke raportuan se bëhet fjalë për një problem serioz me sistemet qendrore të frekuencave radio të qendrave të kontrollit ajror.

Mosfunksionimi, preku si aeroportet ndërkombëtare Eleftherios Venizelos të Athinës ashtu edhe atë të Selanikut, si dhe aeroportet rajonale, duke i bërë të pamundura mbërritjet dhe nisjet. Udhëtarët u informuan me anë të mesazheve me tekst.

Frekuencat radio që përdoren nga qendra e kontrollit ajror, ishin jashtë shërbimit. Qendra luan një rol vendimtar, pasi të gjithë avionët që hyjnë në hapësirën ajrore greke duhet të mbajnë komunikim me të.

Ndërkohë mediat greke raportuan se rivendosja graduale e Sistemit të Trafikut Ajror filloi pak pas orës 13:30, me orën lokale, si dhe u zhvilluan disa fluturime, sipas një përditësimi nga Aeroporti Ndërkombëtar i Athinës.

Burime nga Autoriteti i Aviacionit Civil grek folën gjithashtu për një rivendosje të pjesshme, pasi avionët e parë kanë filluar të ulen dhe të ngrihen.

“Autoriteti i Aviacionit Civil ka filluar të operojë disa fluturime në përputhje me aftësitë e Sistemit të Trafikut Ajror. Po vazhdojnë përpjekjet për të zgjidhur problemin teknik. Për më shumë informacion në lidhje me zbatimin e fluturimeve, ju lutemi kontaktoni kompaninë tuaj ajrore”, tha Aeroporti Ndërkombëtar i Athinës në një përditësim në faqen e tij të internetit. 

Të ngjashme