Kapen rreth 55 kilogramë lëndë narkotike, tentohej të futej përmes pikëkalimit kufitar të Vërmicës

Prishtinë | 26 Kor 2019 | 09:54 | Nga Ekonomia Online

Oficerët doganorë kanë arritur të identifikojnë dhe të kapin një sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike e cila ishte duke tentuar të futet në Kosovë përmes pikëkalimit të Vërmicës.

Sipas një njoftimi të Doganës së Kosovës, në orët e mbrëmjes në pikë-kalimin e Vërmicës ka arritur një automjet i llojit Opel Meriva me targa të Shqipërisë e drejtuar nga një shtetas shqiptar.

Pas profilizimit nga oficerët doganorë, automjeti është ndaluar për kontroll të dyfishtë.


“Në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit, është kryer kontroll e përbashkët me Policinë e Kosovës dhe Njësitin Antikontrabande ku gjatë kontrollës është dyshuar se automjeti në fjalë ka dysheme të dyfishte në të cilën mund të kishte mallra të ndaluar. Pas hapjes së dyshemesë janë hasur 53 paketime të substancës narkotike të dyshuar marihuanë (29 paketime marihuanë dhe 24 paketime marihuane “çokollatë“)”, thuhet në njoftim.

“Pesha e kësaj substance narkotike pas peshimit është 54 kg e 963.24 gr. Drejtuesi i automjetit është arrestuar si dhe rasti është përcjellë tutje tek policia e Kosovës”, përfundohet në njoftimin e Doganës. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme