Një i ri nga Saranda është arrestuar nga policia e Gjirokastrës në afërsi të Memaliajt. Përmes një njoftimi policia thotë se 26-vjecarit i janë gjetur disa doza kokaine, si dhe fara kanabis. Dyshohet se në këtë rrjet ka edhe persona të tjerë të implikuar.
Në kuadër të luftës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, nga ana e Komisariatit të Policisë Tepelenë në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në D.V.P. Gjirokastër është organizuar operacioni “LIQENI”. Si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: M.J., 26 vjeç, banues në Sarandë.
Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e policisë në vendin e quajtur Liqeni i fshatit Levan, Memaliaj, ku në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi disa doza me lënë të dyshuar Kokainë, një sasi të konsiderueshme fara cannabis sative si dhe kubikë të kultivuar me fara canabis sativa. Vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar.