Kapiteni i FC Prishtina 01, Oso Gjinovci, ka thënë se fitorja ndaj Mabetex Prishtinës nuk kishte diçka e re, pasi që ata i kanë mposhtur edhe në kampionat, shkruan Gazeta Metro.
Më 17 shkurt në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve u zhvillua finalja e Kupës në futsall mes rivalëve nga kryeqyteti, Mabetex Prishtinës dhe Prishtinës 01.
Fitore shënuan ’01shat’ me rezultatin 1-2, falë golave të shënuar nga Shefki Kamberi dhe Eljesa Neziri në pjesën e dytë.
Në një prononcim për Gazeta Metro, Oso Gjinovci ka thënë se ishin të përgatitur në çdo aspekt për fitore ndaj rivalëve lokal.
“Ishte një ndeshje shumë e fortë. Ishim të përgatitur në çdo aspekt për ta mposhtur Mabetex Prishtinën. Nuk është diçka e re sepse ne edhe në kampionat e kemi mposhtur Mabetex Prishtinën me rezultatin 6-0, kurse në finale e mposhtem 1-2” – tha fillimisht ‘Bombonjero’.
“Kemi një grup të jashtëzakonshëm. Praktikojmë mbrojtje të fortë dhe lojë me skema që luhen në futsallin europian. Emocionet ishin të veçanta sepse jemi themeluar që 2 vite dhe kemi fituar Kupën e qyteteteve dhe tani Kupën e Kosovës” – tha tutje Gjinovci për Metron.
Tutje, kapiteni i Prishtinës 01 tha se do të vazhdojnë me këtë ritëm edhe në Superligë për ta rrëmbyer edhe titullin e kampionit.
“Do të vazhdojmë me këtë ritëm edhe në kampionat për ta rrëmbyer titullin e kampionit të Kosovës. I falenderoj të gjithë bashkëlojtarët, stafin e trajnerëve, kryesinë e klubit që na ka mbeshtetur deri në pikën e fundit dhe të gjithë qytetin e përkrahësit tanë. Ju don kapiteni Oso Gjinovci – Bombonjero, vazhdojmë 01” – deklaroj Oso Gjinovci.
Ndryshe, Prishtina 01 renditet në pozitën e tretë në Superligë me 19 pikë, 6 pikë më pak se skuadra lidere, FC Liburni.