Pak ditë para se të niste pjesa pranverore në Superligën e Turqisë, kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës, Samir Ujkani, në një intervistë për mediumet italiane tha se nuk është i kënaqur te skuadra e Rizesporit për shkak të minutazhës së vogël në pjesën vjeshtore.
Mirëpo, kur tha këtë ai nuk kishte paramenduar se situata e tij tek ekipi turk në pranverë do të vështirësohej edhe më shumë, shkruan sot Koha Ditore.
Ujkani tashmë është larguar nga ekipi i parë dhe në pesë ndeshjet e para të pjesës pranverore nuk ishte as në stol.
Atij i është thënë nga klubi se për shkak të numrit të kufizuar të lojtarëve të huaj nuk mund të përfshihet në 18-she, kështu që deri në fund të edicionit do të mbetet jashtë ekipit të parë.
Ujkani 30-vjeçar ka pasur një karrierë me shumë rënie-ngritje. Problemet gjithnjë e kanë përcjellë, por asnjë si ky te skuadra turke.
Në një intervistë për gazetën ka thënë se e ka pranuar vendimin, të cilin nuk e ka pritur. Por ka shtuar se kjo nuk e ka demoralizuar, por motivuar që të vazhdojë të punojë me përkushtim në stërvitje për të mbajtur formën e tij deri në fund të edicionit.