Është vetëm 18 vjeçar, por lider në fushë. Kjo ka bërë skuadra e Rahovecit t’i besojë për shiritin e kapitenit. Është ky Bardh Rexha, i cili flet për synimet me Rahovecin dhe Kosovën U20.
“Ky edicion ka qenë shumë i mirë për mua, sa i përket aspektit individual, megjithatë, nuk jam i kënaqur me kaq dhe duhet të punoj më shumë për të ardhmen”, është shprehur Rexha për faqen zyrtare të FBK-së.
Edhe pse vetëm 18-vjeçar është emëruar kapiten i Rahovecit. “Për mua të jem kapiten është një ndjenjë shumë e mirë, por edhe një përgjegjësi e madhe. Ne do të bëjmë çmos që të arrijnë synimet tona për këtë edicion”, theksoi tutje Bardhi.
Ai ka qenë pjesë e Kosovës U18 në Kampionatin Evropian, Divizioni B, që u mbajt vitin e kaluar, derisa është grumbulluar për të qenë pjesë e Kosovës U20, ku në të ardhmen pritet të jetë lojtar kyç.
“Të luash për Kosovën është nder dhe përgjegjësi e madhe. Synimet janë që të arrijmë rezultate të mira dhe të përfaqësojmë vendin sa më mirë në garat ndërkombëtare”, përfundoi Bardh Rexha.