Përderisa ish-reprezentuesi i Spanjës, Bruno Soriano, u rikthye në futboll pas tre vjetësh, Villarreali barazoi kundër Sevillas (2:2), të hënën mbrëma, në kuadër të La Ligas. Soriano u fut në ndeshje nga banka e rezervistëve në minutën e 88-të, për të bërë paraqitjen e tij të parë me Villarrealin që nga muaji maj i vitit 2017 pas dëmtimeve të përsëritura të gjurit. Mesfushori që ishte pjesë e Spanjës në “Euro 2016”, është pritur që ta humbasë këtë sezon, por arriti të rikuperohej gjatë pushimit të detyruar të La Ligas shkaku i përhapjes së pandemisë COVID-19. Në fakt, Soriano është kapiten i Villarrealit dhe shiritin e mori me t’u futur në fushë kur e zëvendësoi Vicente Iborran. Realisht, Soriano ka qëndruar hiç më pak se 1128 ditë jashtë fushës. Ai pas vetes ka lënë dy operime dhe një numër të madh lëndimesh të gjurit.
“Unë nuk do të gënjej, shpesh kam menduar të heq dorë nga futbolli për shkak të zhgënjimeve të vazhdueshme që kam i kam pasur gjatë viteve të fundit”, ka pranuar Soriano, 36-vjeçar. “Ka qenë e vështirë, por fatmirësisht jam rikthyer. Jam shumë e lumtur që e fitova përsëri këtë mundësi. Unë u përpoqa të jepja gjithçka që kisha në ato minuta që luajta”.
Shokët e skuadrës së Sorianos kanë brohoritur me zë të lartë kur u kthyen në zhveshtore pas përfundimit të ndeshjes me Sevillan që u zhvillua në “Ceramica Stadium”, ku Villarreali luan si vendas. Soriano shkoi tek secili për ta falënderuar ndërsa ata vazhdonin të brohorisnin.
“U emocionova shumë dhe kam falënderuar të gjitha për përkrahjen që ma kanë dhënë gjatë periudhës së vështirë. Shpresoj që në këto ndeshjet e mbetura të kampionatit ta ndihmoj ekipin të arrijë synimet”, shtoi Soriano.
Megjithatë, rikthimi i mesfushorit Soriano nuk e ndihmoi Villarrealin që të shënojë fitore në shtëpi edhe pse dy herë ishte në epërsi. Me këtë barazim Villarreali mbetet në pozitën e gjashtë në tabelë kur kanë mbetur edhe shtatë xhiro të pazhvilluara.
“Në të vërtetë, as nuk di çfarë të them për shkak se ka kohë që nuk kam luajtur. Kam punuar shumë për të ardhur te kjo ditë, ndonëse shpesh kam dështuar. Shpresoj që mos të lëndohem në mënyrë që deri në fund të edicionit të sigurojmë një vend që dërgon në Evropë, mundësisht në Ligën e Kampionëve”, ka pranuar Soriano.
Ndeshjen e ardhshme kampionale Villarreali e luan të dielën (28 qershor) në shtëpi kundër Valencias dhe gjasat janë të mëdha që kapiteni Soriano të startojë prej minutës së parë.