Kapitenia e Kosovës ndryshon sërish skuadër, kalon në elitën daneze

Prishtinë | 22 Pri 2021 | 11:19 | Nga Ekonomia Online

Kapitenia e Kosovës në hendboll, Leonora Demaj, ka ndryshuar sërish skuadër.

Ajo është larguar nga skuadra Vendsyssel, që nga elita daneze ka rënë në kategorinë e dytë. Ka kaluar te Ringkobingu, që nga kategoria e dytë është promovuar në elitën e Danimarkës, njërin prej vendeve me hendbollin më të zhvilluar në botë.

Ringkobingu të enjten ka njoftuar se ka firmosur për dy vjet me kapitenen e Kosovës. Te Ringkobingu luajnë motrat Marigona e Arlinda Hajdari, tashmë reprezentuese të rëndësishme të Kosovës.

Demaj nuk ka luajtur për Kosovën që nga nëntori i vitit 2019. Në mars të vitit të kaluar pësoi një lëndim të rëndë të ligamenteve të gjurit. Iu nënshtrua një operimi dhe ende është në fazë rikuperimi. Por në verë pritet t’iu kthehet stërvitjeve të plota dhe po ashtu pritet të jetë plotësisht e gatshme për edicionin e ardhshëm.

Demaj ishte lënduar sa ishte pjesë e Soenderjyskes në kategorinë e dytë daneze. Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar kishte kaluar te Vendsyssel. Por për këtë skuadër nuk e ka luajtur asnjë ndeshje, pasi ishte në fazë rikuperimi. Kjo skuadër ka njoftuar ditë më parë se Demaj ka pranuar një ofertë që nuk ka mundur ta refuzoj.

Te Ringkobingu e kanë prezantuar 22-vjeçaren Demaj si përforcim të madh.

“Leonora për disa edicione ishte njëra prej lojtareve të profilit të lartë dhe golashënuese e dalluar në Divizionin e parë për Sonderjysken. Leonora është lojtare e gjithanshme që me shpejtësinë dhe aftësitë e mira për gjuajtje dhe shpërthim, do të përshtatet mirë në lojën tonë. Një lëndim serioz i ligamentit e ka mbajtur Leonorën jashtë për një vit. Por fizioterapeuti ynë e ka lavdëruar atë për rehabilitimin që ka bërë dhe ajo po kthehet më e fortë. Po shohim para për të parë Leonorën me fanellën numër 77 të Ringkobingut”, ka thënë trajneri i kësaj skuadre, Jesper Holmris.

“Jam shumë e lumtur që do të kem mundësinë të luaj sërish në elitë. Kam pasur biseda të mira me Jesper Holmris dhe jam e sigurt se Ringkobingu përshtatet shumë mirë për mua dhe ambiciet e mia. Mezi pres të bashkohem në verë dhe të filloj me hendboll sërish”, ka thënë Demaj për faqen zyrtare të klubit.

Motrat Marigona e Arlinda Hajdari kanë dhënë kontribut për promovimin e Ringkobingut në elitë. Ato janë paraqitur mirë edhe në ndeshjet e Kosovës me Austrinë dhe Italinë. Pritjet prej tyre janë të mëdha. Ndërkohë përfaqësuesja pritet të përfitojë edhe nga bashkimi i tri lojtareve fundore në një ekip të elitës daneze.

Kosova në fillim të qershorit luan në parakualifikime për Evropian. Nuk është bërë e ditur nëse Demaj do të udhëheq Kosovën.

Të ngjashme