Kapsllëku dhe ushqimet, këshilla si të kujdesemi

Prishtinë | 07 Qer 2024 | 04:59 | Nga Ekonomia Online

Mënyra më e mirë për t’u lehtësuar nga problemet e konstipacionit (kapsllëkut) është të ndryshojmë gradualisht zakonet e të ushqyerit por edhe të mënyrës së të jetuarit, që ndikojnë te konstipacioni. Praktikisht janë tre faktorët që ne kemi në dorë dhe mund t’i ndryshojmë pasi nëse kemi një zorrë dembele nga ana gjenetike nuk e ndryshojmë atë, por mund ta përmirësojmë mjaft.

Hidratimi

Nëse konsumojmë ushqime me përmbajtje të lartë në ujë (jo ushqime të thata, si: makarona, pilaf, pica etj), por edhe pimë mjaftueshëm ujë gjatë ditës (mesatarisht1.5-2 lt/ditë) do të kemi një defektim më të mirë dhe nuk do të ndikojë në ngurtësimin e feçes. Frutat dhe perimet janë ato që kanë kryesisht përmbajtje të lartë në ujë, por edhe kosi me qumështin.

Gjithashtu edhe gatime me përmbajtje më të lartë në ujë, si gjellët tradicionale apo supat. Por nëse hamë një sallatë me perime dhe pimë edhe ujë është e njëjta gjë për trupin tonë. Duhet të mundohemi të shtojmë sasinë e ujit gjatë ditës, si dhe sasinë e frutave dhe perimeve në menunë tonë ditore.

Aktiviteti fizik

Aktiviteti fizik ndihmon mjaft në qarkullimin e gjakut në gjithë trupin, por edhe të aparatit tretës, duke ndihmuar peristaltikën e zorrës së trashë dhe defekimet më të rregullta, si në frekuencë, por edhe në përmbajtje etj.

Në këtë mënyrë, përveç defekimit më të rregullt parandalojmë ose mbajmë në kontroll sëmundjet e asaj zone dhe që lidhen me qarkullimin e gjakut, siç janë hemorroidet. Është mirë të përpiqemi të bëjmë 40-60 minuta ecje gjatë ditës dhe të mos qëndrojmë shumë orë ulur. Mirë do të ishte që çdo 3 orë të kemi një pushim për të lëvizur të paktën10 minuta.

Fibrat

Më parë, fibrat nga drithërat, perimet, frutat apo legumet nuk konsideroheshin të domosdoshme si lëndët e tjera ushqyese. Por më vonë u vu re se edhe pse ato nuk arrijnë të treten nga aparati ynë tretës janë të domosdoshme për mirëfunksionimin e organizmit, duke e mbajtur atë të shëndetshëm.

Përveç se ndihmojnë në një përthithje graduale të lëndëve ushqyese që konsumojmë, duke rritur gradualisht nivelin e sheqerit në gjak dhe duke na ngopur më shpejt, kanë një rol të rëndësishëm në florën intestinale dhe të defekimeve. Duke marrë parasysh të gjitha funksionet më lart, Organizatat e Shëndetësisë vendosën një normë ditore.

Kështu, mesatarisht na duhen 25-30 gr fibra në ditë, për të patur shëndet të mirë. Fibrat ndihmojnë për të krijuar një masë më të madhe të feçes, përthithin më shumë ujë, ushqejnë bakteret e mira të zorrës së trashë dhe aktivizojnë peristaltikën e zorrës.

Dietologia këshillon të shtoni në menunë tuaj ushqime që përmbajnë sasi të larta të fibrave. Kështu, nga legumet mund të përdorim: fasule, bizele, thjerrëza, qiqra.

Nga drithërat: makarona integrale, oriz integral, bollgur, kinoa, tërshërë, grurë etj.

Nga perimet: preferoni ti konsumoni si te freskta si te gatuara.

Nga frutat: Preferoni të jenë të pjekura mirë dhe të konsumohen të plota, bashkë me lëkurën e tyre. “Nuk do të rekomandoja t’i konsumojmë si lëng, pasi në atë mënyrë nuk marrim fibra përveç se kur i konsumojmë si ‘smoothies’.

Ajo shpjegon se ushqime, të cilat nuk përmbajnë shumë fibra, si: pilaf, byrek me miell të bardhë me djathë apo gjizë, makarona pa perime ose salcë, pite, patate mund të japin shqetësime me konsipacionin. Tepër e rëndësishme është edhe të ‘edukoni’ zorrën tuaj në një orar, që për ju është më i përshtatshëm dhe që ndodheni në ambientin e shtëpisë suaj, përshembull çdo mëngjes ose çdo darkë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme