Rreth 70 mijë euro është vlera e parave të falsifikuara, të cilat ishin vënë në qarkullim në tregun e Kosovës vetëm brenda pjesës së parë të vitit 2019.
Kartëmonedha më e falsifikuar, sipas të dhënave të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, të cilat i janë dërguar Radios Evropa e Lirë nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka qenë ajo prej 100 euro, ndërkaq prej monedhave, kanë qenë ato në prerje prej 2 dhe 1 euro.
Denominimet në vlerë prej 500, 200 dhe 50 euro, përbëjnë përqindje më të vogël të numrit të kartëmonedhave të falsifikuara, përkatësisht rreth 17 për qind.
Zyrtarë të Bankës Qendrore bëjnë të ditur se duke u bazuar në raportet statistikore të pranuara nga Agjencia për Forenzikë për tri vjetët e fundit, shihet një rritje e rasteve të parave të falsifikuara, por siç thonë ata, kjo rritje nuk është në nivel shqetësues.
Zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti, tha se Kosova i ka kapacitetet e veta ligjore dhe institucionale për luftimin e dukurisë së falsifikimit të parave. Sipas tij, lufta kundër kësaj dukurie është një aktivitet i përditshëm i të gjitha institucioneve përgjegjëse.
“Bazuar në raportet e fundit të pranuara nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, në gjysmën e parë të vitit 2019 janë identifikuar një numër prej 656 kartëmonedhash dhe 2,184 monedhash të falsifikuara, të cilat janë tërhequr nga qarkullimi, kurse shuma e tyre ishte rreth 65,695.00 euro [para letre], përkatësisht 3,244.45 euro [para metali]. Pjesa më e madhe e këtyre kartëmonedhave dhe monedhave janë konfiskuar nga institucionet financiare gjatë aktivitetit të tyre të rregullt”, thotë Ahmeti, për Radio Evropa e Lirë.
Falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas nenit 302 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës për veprën penale “falsifikim i parave” janë regjistruar 619 raste, ndërsa në vitin 2019 janë të evidentuara 590 raste. Policia nuk ka dhënë edhe vlerën e parave të falsifikuara të cilat janë konfiskuar gjatë këtyre operacioneve të organeve të rendit.
Të dhëna të vlerës së parave të falsifikuara, polica ka paraqitur në dy rastet e fundit të operacioneve të ndara që kanë të bëjnë me veprën penale falsifikim i parave.
Vetëm në një rast, gjatë këtij muaji, Policia e Kosovës ka thënë se ka parandaluar prodhimin e mbi 4 milionë dollarëve të falsifikuar, ndërsa në një rast tjetër ka kapur rreth 4 mijë euro para të falsifikuara. Në të dy rastet, Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona të dyshuar.
Ndikimi i parave të falsifikuara në tregun e Kosovës
Zyrtarë të Bankës Qendrore bëjnë të ditur se falsifikimi i parasë është krim që në mënyrë të vazhdueshme paraqet rrezik për ekonominë e çdo vendi pa përjashtim dhe është burim i humbjes financiare të shoqërisë.
“Efektet e dëmshme që paratë e falsifikuara shkaktojnë në shoqëri kanë të bëjnë me zvogëlimin e vlerës së parasë reale; rritjen e çmimeve (inflacionit) për shkak të qarkullimit të më shumë parave të gatshme në ekonomi, si pasojë e rritjes artificiale dhe të paautorizuar të ofertës së parave; ulje e besimit në paratë e gatshme dhe humbjet për qytetaret dhe bizneset kur ata nuk rimbursohen për paratë e falsifikuara të detektuar dhe të konfiskuara nga institucionet financiare”, thotë Ahmeti nga BQK.
Mejdi Bektashi, ekspert i çështjeve financiare, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk konsiderohet si vend prodhues i kartëmonedhave të falsifikuara edhe pse gjatë dy-tri vjetëve të fundit ka pasur tentativa për të organizuar prerjen e 50, 100 apo 200 eurove.
“Rasti i fundit i këtyre parave të falsifikuar (4 milionë dollarë) do të krijonte efekte negative. Në radhë të parë do të krijonte pasiguri te qytetarët, por efektet mund të jenë edhe në rritjen e inflacionit për shkak të tepricës së parave, në këtë rast të falsifikuara në tregun e Kosovës”, thotë Bektashi.
Ai shton se shumica e shteteve, kryesisht ato të Eurozonës, po përdorin reduktimin e transaksioneve me para të gatshme, duke i stimuluar si qytetarët dhe bankat që të përdorin paranë elektronike për të kryer transaksione të ndryshme.
“Edhe pse Kosova nuk është anëtare e Eurozonës, ajo ka për obligim të marrë masa preventive me qëllim që të mbështesë dhe të krijojë një sistem të shëndoshë dhe efikas për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Evropian, kryesisht përmes monitorimit efektiv të falsifikimit të euros, por edhe të valutave të tjera”, thotë Bektashi.
Në janar të vitit 2012, Kosova kishte konvertuar valutën, duke kaluar nga valuta marka gjermane (DEM) në valutën euro.
Në atë kohë, Banka Qendrore e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, bënë angazhime të veçanta në fushën e edukimit dhe luftimit të parave të falsifikuara, si dhe themeluan Komitetin kombëtar për luftimin e parave të falsifikuara. /REL/