Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati në seancën e së mërkurës ka vendosur një mbishkrim te vendi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Kuvend.
Në këtë shkrim Kastrati ka kritikuar fjalimin e kryeministrit Kurti për politikanin serb, Oliver Ivanoviq, në pesëvjetorin e vdekjes së tij.
Përmes një postimi në Facebook, deputeti i PDK-së ka publikuar këtë shkrim.
“Dëshmitarja: Oliver shpëtoma djalin
Kurti: Të gjithë do ta ruajmë kujtimin për Oliver Ivanoviqin
Ne të tjerët: Po ne do të na kujtohet Ivanoviqi për krimet që i ka bërë ndaj shqiptarëve
Porosia për Kurtin: Ka kaluar koha e Bogdan Bogdanoviçit dhe e UJDI-t”, shkruhet në këtë mbishkrim.
Ndryshe, kryeministri Kurti kërkoi zbardhjen e vrasjes së Ivanoviqit duke thënë se të gjithë ata që kryejnë një krim në Kosovë duhet të dalin para drejtësisë, dhe më vjen keq që autorët dhe ata që e kanë porositur këtë krim ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë”.
“Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre, me të cilët, nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike”, kishte deklaruar Kurti përmes një videoje.
Ky fjalim i tij ka ngjallur diskutime të shumta, sidomos nga opozita.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e ka kritikuar Kurtin duke thënë se “Ndërsa, si për ironi e pa fije turpi, Albin Kurti fjalë të mira dhe elozhe dje thuri vetëm për Oliver Ivanoviqin – të cilin sa ai ishte gjallë, edhe vetë e akuzonte për vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve në Mitrovicë gjatë periudhës së luftës. E pas luftës, Ivanoviqi i dashur i Albinit, ka qenë shefi i ‘Rojave të Urës’ që me dhunë e terror e kanë mbajtur të ndarë qytetin e Mitrovicës”.
Ndërkaq, anëtarja e re e LDK-së, Shqipe Pantina ka thënë se “Nuk kisha besuar kurrë që Albin Kurti e bën një deklarim të tillë. Nuk do mund të i bënte fyerje më të madhe nënave të vajzave e djemve që dhanë jetën për këtë vend. Turp”.
Ndërkaq deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi kishte reaguar për këtë fjalim duke thënë se “Këtë aftësi e ka vetëm kryeministri ynë, që me një kënaqësi të pashoq i kushton paragrafe të gjata, e të mbushura me ndjeshmëri. Vazhdo ruaje kujtimin për të kryeministër, por mos harro kujtimet edhe të atyre familjeve ndaj të cilëvë heroi yt ka kryer krime”.
Ndryshe, më 16 janar të vitit 2018, ishte vrarë para zyreve të tij në veri të Mitrovicës, lideri i Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviq.
Ai ishte vrarë përmes një atentati me armë zjarri, ku ishte qëlluar me gjashtë plumba nga një veturë në lëvizje.
Menjëherë pas atentatit, Qeveria e Kosovës kishte kërkuar zbardhjen e rastit të vrasjes së Ivanoviqit, por edhe pas pesë vjetësh nuk është dënuar askush.
Ndërkaq, deri para vrasjes, ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999. Ai ishte deklaruar i pafajshëm.