Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati ka akuzuar Qeverinë Kurti për izolim diplomatik dhe vendosje të Kosovës në një pozitë strategjikisht të pafavorshme, raporton Ekonomia Online.
Përmes një postimi në Facebook, Kastrati ka reaguar edhe ndaj marrëveshjes së Serbisë dhe Francës, ku përveç tjerash parashihet blerja e 12 aeroplanëve luftarak RAFALE në vlerë 2.8 miliardë euro.
Po ashtu ai shtoi se ndërsa Serbia po konsolidon agjendën e saj rajonale dhe ndërkombëtare, Kosova është në gjumë në rrafshin ndërkombëtar për shkak të mungesës së kapitalit diplomatik.
“Ku janë Kurti, Osmani e Gërvalla si bartës të politikave të jashtme këto ditë? Përderisa Kosova flen në rrafshin ndërkombëtar , sepse nuk posedon kapital diplomatik, Serbia po e shfrytëzon këtë vakum diplomatik të Kosovës për të konsoliduar agjendën e saj rajonale e ndërkombëtare përmes aktorëve të rëndësishëm ndërkombëtar. Përderisa Albin Kurti vazhdon ta ekspozoj vendin ndaj rreziqeve komplekse e shumëdrejtimëshe, kriza diplomatike e Kosovës nuk është thjeshtë vetëm izolim ndërkombëtar. Ky izolim paraqet edhe kërcënim ekzistencial për sigurinë dhe stabilitetin e saj afatgjatë”, ka shkruar ai në Facebook.
“Kurti ka prodhuar një polarizim të paparë shoqëror dhe ka izoluar thellë Kosovën, duke e rrezikuar seriozisht stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë të vendit,” tha Kastrati, duke shtuar se ky izolim paraqet një kërcënim ekzistencial për vendin.
Në fund ai deputeti i PDK-së bëri thirrje që të largohet Kurti nga qeveria.