Kastrati: Vlerësimi i numrit të serbëve në veri është bërë nga ndërkombëtarët

Prishtinë | 19 Dhj 2024 | 12:54 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, në një konferencë për media ka thënë se pjesa më e madhe e komunitetit serb në veri të Kosovës ka refuzuar të marrë pjesë në Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë (ReKos 2024), raporton Ekonomia Online.

Kastrati shtoi se është diskutuar me ekspertët ndërkombëtarë për vlerësimin e popullsisë në këtë pjesë të Kosovës, dhe ata kanë ofruar një vlerësim më të saktë për komunitetin serb. Sipas ekspertëve ndërkombëtarë, janë përdorur kritere të standardizuara për vlerësimin e numrit të popullsisë, si intervistat dhe llogaritjet e tjera.

Ai ka deklaruar se në pjesën veriore janë regjistruar 6 mijë qytetar.

“Kemi zhvillu fushatë sensibilizuese dhe kemi njoftuar të gjitha komunitete në Kosovë qe regjistrimi është obligim ligjor. Përkundër angazhimit maksimum, një pjesë e komunitete serb në veri nuk është regjistruar, një pjesë është regjistruar. Mbi 6 mijë vetë janë regjistruar në veri për herë të parë, krahasuar me 2011. Por shumica e komunitete serb nuk morën pjesë. Ne diskutuam me ekspert ndërkombëtar edhe bazën e vlerësimit të popullsisë për komunitetin serb në atë pjesë e kanë bërë më shumë ekspertet ndërkombëtar. Është një lloj kriteri standard që shteti duhet që të ketë çfarë do burime, o intervista ose përmes përllogaritjeve të tjera që me pas një numër total, sepse është si një emërues i përbashkët për shumë indikator. Dhe ne kemi ardhur në përfundim se në pjesën veriore të Kosovës jetojnë rreth 24 mijë banor atje edhe ju është bashkangjitur kësaj pjesë që janë regjistruar. Andaj ishte ai numri 1 milion e 602 mijë total i Kosovës. Vlerësimin për komunitetin serb në veri më shumë e kanë bërë ndërkombëtaret se ne”, ka thënë ai.

Të ngjashme