Një pjesë e lumit Sitnica në Lipjan është i ndotur masivisht. Ujërat e zeza të qytetit vijojnë të derdhen në të, ndërsa brigjet e lumit janë kthyer në një vend deponimi mbetjesh.
Mbetjet në një pjesë të lumit Sitnica janë vetë qytetarët që në mënyrë të papërgjegjshme hedhin çdo ditë mbeturina në të dyja anët e lumit që përshkojnë Lipjanin, shkruan Ulpianapress.
Rënia e ndjeshme e nivelit të ujit gjatë ditëve të fundit ka bërë që kjo problematikë të jetë më evidente, pasi mbeturinat kanë dalë në sipërfaqe. Edhe lëvizja ose peshkimi i qytetarëve përgjatë kësaj pjese është reduktuar ndjeshëm, për shkak të erës së rëndë që është krijuar nga niveli i lartë i ndotjes.
Situata e krijuar vlerësohet si tejet problematike nga Safet Kasumi, një peshkatar, i cili edhe i dërgoi fotot në redaksinë e gazetës.
“Sot isha pak në shëtitje dhe e pashë këtë ndotje që po i bëhet lumit Sitnica nga banorët .Në këtë lumë kam peshku shumë mbas lufte deri më 2006-tën e pastaj nuk ka mbetë as bretkosa prej ndotjes që po i bëhet këtij lumi në të gjitha mënyrat”, tha Kasumi.
Sipas tij, ndotja e Sitnicës po sjell dëme të mëdha sepse nga ndotja mund të vije deri te ndonjë epidemi.
‘Po dua që të jua bëjë me dije të gjithë qytetarëve të kësaj ane se këtë që po e bëjmë ne sot nuk do të na falin kurrë gjeneratat që vijnë pas, dhe kam frikë se mund të përhapet ndonjë epidemi shumë e rrezikshme për vendbanimet ku konsumojnë ujë të puseve. Po ashtu edhe kafshët pijnë ujë në ketë lumë, ndërsa ne qumështin e tyre e konsumojmë”, shprehet ky peshkatar lipjanas.