Në Qeverinë e kryeministrit Mustafa janë katër ministri pa ministra. Dy ministra të Listës Serbe po e bojkotojnë punën e ekzekutivit, ndërsa ministri i Integrimit, si dhe ai i Ambientit ende nuk janë emëruar
Katër dikastere të Qeverisë së Kosovës që disa muaj po vazhdojnë të funksionojnë pa ministra.
Dy prej tyre janë të udhëhequra nga Lista Serbe, e cila qe një kohë ka ngrirë punën në institucionet shtetërore të Kosovës.
Ndërkaq, posti i ministrit në dy dikastere tjera të Qeverisë (Integrimit dhe Ambientit), tashmë ka mbetur vakant prej kohësh.
Dalibor Jevtiq, ministër i Kthimit dhe i Komuniteteve dhe Lubomir Mariq, ministër i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, po vazhdojnë ta bojkotojnë punën e tyre qysh prej muajit tetor, në shenjë kundërshtimi për miratimin e Ligjit për “Trepçën”.
Madje, Lista Serbe e ka kushtëzuar Qeverinë e Kosovës se nuk do t’i kthehet jetës institucionale, pa inicimin e themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe.
Kryetari i Listës Serbe në Kosovë, Slavko Simiq, ka thënë për Gazetën “Zëri”, se subjekti i tij kërkon themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, në të kundërtën nuk kthehet në institucionet qendrore të Kosovës.
“Ne kemi një plan, duam që pas zbatimit të Marrëveshjes për Telekomunikacionin, udhëheqësit e rëndësishëm politikë që janë nënshkrues të Marrëveshjes së Brukselit ta iniciojnë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, ka deklaruar ai. (Gazeta Zeri)