Vetëm për gjashtë ditë të fushatës, katër parti politike do të paguajnë 17 mijë e 900 euro gjobë për shkelje të rregullave zgjedhore, raporton KTV .
Gjobat nga Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa janë shqiptuar ndaj koalicionit PDK- AAK- Nisma, koalicionit LDK- AKR-Alternativa, Vetëvendosjes si dhe KDTP-së.
Për t’i paguar këto gjoba, partitë politike kanë afat 15 ditë, por Mul Desku, që është kryeshef i Sekretariatit të PZAP-së, thotë se nga përvoja e së kaluarës, asnjëherë partitë nuk iu përgjigjen afateve.
Por, këtë radhë, ata do ta kenë më të lehtë, sepse partitë që nuk paguajnë borxhin nuk mund të certifikohen për zgjedhjet lokale.
Mul Desku, Kryeshef i Sekretariatit të PZAP-së ka thënë se në raste të tjera, KQZ-ja, partive që kanë fituar ulëse në Kuvend ua ndal borxhin nga fondi për demokratizim, ndërsa prej dy vjetësh kanë filluar bashkëpunimin edhe me përmbaruesit privatë e si rezultat, nga 1 milion euro sa kishin borxh partitë, janë ulur në 22 mijë euro, kryesisht borxh i partive që janë shuar.