Katër persona mbetën të lënduar si pasojë e gjuajtjeve me armë gjatë paradës festive në Toronto Raptors, për titullin e kampionit të NBA. Lajmin e ka konfirmuar policia kanadeze.
Mijëra tifozë të basketbollit ishin grumbulluar në qendrën e qytetit në sheshin “Nathan Phillips” kur u dëgjuan gjuajtjet me armë, duke bërë që të gjithë të vraponin për të kërkuar strehë.
Festa u ndërpre vetëm për një kohë të shkurtë, pasi që zyrtarët policorë e qetësuan turmën e njerëzve.
Tre persona janë arrestuar, ndërsa autoritetet përgjegjëse i kanë kërkuar publikut të dërgojnë sa më shumë pamje për ta ndihmuar procesin hetimor.
Policia shkroi në Twitter se asnjëra ndër viktimat nuk kishte pësuar lëndime që e rrezikonin jetën e personave, edhe pse dy persona morën plagë më serioze.
Në mesin e personave që ishin grumbulluar për ta përcjellë nga afër paradën e skuadrës së Toronto Raptors ishte e kryeministri kanadez, Justin Trudeau, i cili u uroi shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve.