Katër policë lëndohen gjatë ndjekjes së hajnave

Prishtinë | 26 Sht 2018 | 16:30 | Nga

Katër policë të Kosovës janë lënduar gjatë ndjekjes së disa personave që kishin kryer një vjedhje rreth orës 03:00 në një market në rrugën “Hajredin Bajrami” në Lipjan.

Policia ka njoftuar se ka dalë në vendin e ngjarjes me të marrë informatën për vjedhje dhe kanë nisur ndjekjen e veturës së dyshuar. Sipas njoftimit, gjatë ikjes, të dyshuarit kanë tentuar të godasin një polic.

Policia ka thënë se duke marrë parasysh kërcënimin, janë detyruar të përdorin armë zjarri për të neutralizuar veprime të rrezikshme.

“Aksioni i ndjekjes kryesisht ka qenë në rrugët që lidhin lagjet Velania – Tauk Bahçe dhe Avalla, ku në një moment të caktuar të dyshuarit me veturën e tyre në ikje e sipër kanë tentuar të godasin zyrtarin policor. Për rrjedhoje zyrtarët policor duke marrë në konsideratë faktin se veprimet e personave të dyshuar, përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe potencialisht të rrezikshëm për jetën e tyre dhe pjesëmarrësve në komunikacion, domosdoshmërish janë detyruar të përdorin armën e zjarrit me qëllim të neutralizimit të veprimeve të tilla të rrezikshme. Përgjatë ndjekjes janë aksidentuar dy vetura zyrtare të policisë ku janë lënduar katër zyrtarë policor. Zyrtarët policorë të lënduar në këtë rast, kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe përkundër lëndimeve të shumta janë në gjendje shëndetësore të qëndrueshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në të njëjtën kohë ka qenë duke u zhvilluar edhe një aksion tjetër i policisë, ku është arrestuar një person i dyshuar për grabitje. Operacioni është realizuar nga njësitet policore të stacionit Jugu në Prishtinë.

Policia ka thënë se po punon me përkushtim me qëllim të identifikimit të personave të dyshuar si dhe lokalizimin e vendndodhjes së tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme