Katër shoferë janë ndëshkuar nga policia për shkak të tejkalimit të shpejtësisë së lejuar në rrugën “Brahim Ademi” në Ferizaj.
Sipas njoftimit të organeve të rendit, patrulla e Njësisë së Komunikacionit Rrugor, gjatë kontrolleve të realizuara në këtë zonë ku kufizimi i shpejtësisë është 50 km/h, ka identifikuar katër drejtues mjetesh duke vozitur mbi normat e lejuara.
Ndaj tyre është shqiptuar nga një gjobë prej 200 euro, janë vendosur nga 2 pikë negative, si dhe u është shqiptuar masa mbrojtëse e heqjes së patentë-shoferit për 3 muaj.
Sipas policisë, personat e ndëshkuar janë:
B.S. (34 vjeç), i cili drejtonte një veturë Audi A4, ngjyrë hiri, me targa vendore, është ndaluar duke lëvizur me shpejtësi 103 km/h.
D.L. (33 vjeç), me veturë VW Golf, ngjyrë hiri, me targa vendore, është ndaluar me shpejtësi 87 km/h.
B.K. (35 vjeç), me veturë Land Rover, ngjyrë e zezë, me targa vendore, është ndaluar me shpejtësi 83 km/h.
Q.V. (37 vjeçe), me veturë Audi A4, ngjyrë hiri, me targa vendore, është ndaluar me shpejtësi 83 km/h.
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë me kontrolle të rregullta dhe të intensifikuara me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion, duke apeluar tek të gjithë shoferët që të respektojnë rregullat e trafikut.