Katër të akuzuarit për sulmin në Kuvend në listën e VV-së

Prishtinë | 19 Maj 2017 | 16:21 | Nga

Lëvizja Vetëvendosje i ka përfshirë në listën për deputetë edhe katër të dyshuarit për sulmin ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës, që kishte ndodhur më 4 gusht 2016.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, bashkë me tre aktivistët tjerë: Egzon Haliti, Adea Batusha dhe Atdhe Arifi, do të jenë kandidatë të VV-së në zgjedhjet e parakonshme parlamentare të 11 qershorit.

“Sapo u njoftova që Lëvizja ka vendosur që unë, Egzon Haliti, Adea Batusha dhe Atdhe Arifi të garojmë për deputetë të saj. I falënderoj të gjithë aktivistët e Vetëvendosjes për solidaritetin e jashtëzakonshëm që kanë treguar këta 9 muaj prej kur jemi nën arrest”, ka njoftuar vetë Krasniqi përmes Facebook-ut.

“Më 11 qershor, ndryshimi do të ndodhë. Ky ndryshim, do t’i hapë rrugët që drejtësia për Astritin të vihet në vend”, shkruan tutje i akuzuari për sulmin terrorit ndaj objektit të Kuvendit.

Ndaj këtyre katër aktivistëve të VV-së, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë për terrorizëm, në dhjetor të vitit që shkoi. Ata ishin arrestuar pa u bërë një muaj nga sulmi i 4 gushtit 2016. Në banesat e disave prej tyre, Policia, gjatë arrestimit, kishte gjetur edhe një arsenal armësh, të cilat më vonë prindërit e aktivistëve i kishin deklaruar në pronësi të tyre, shkruan Gazeta Express.

Lëvizja Vetëvendosje, në listën e tyre garuese për deputetë ka edhe disa nga deputetët e legjislaturës së fundit, të cilët po ashtu janë të ngarkuar me aktakuza për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.

Kjo lëvizje, e cila para pak javësh është regjistruar si parti politike, ka kandiduar Albin Kurtin për kryeministër.

LEXO EDHE:

http://cs13.temp.domains/~ekonomia/nacionale/delawie-njerezit-me-aktakuze-per-korrupsion-nuk-dua-ti-shoh-ne-listat-zgjedhore/

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme