Katër të mitur identifikohen për 11 vjedhje në Ferizaj

Prishtinë | 14 Jan 2026 | 09:58 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka identifikuar katër persona të dyshuar për kryerjen e 11 vjedhjeve në qytetin e Ferizajt.

Policia ka bërë të ditur se rastet kanë nisur prej tetorit të vitit 2024 deri në janarin e vitit 2026.

“Hetimet janë përqendruar në një grup personash të mitur, të dyshuar se në bashkëkryerje kanë kryer vjedhje në lokale afariste, markete dhe hapësira banesore, duke përvetësuar biçikleta, skuterë, telefona mobilë, para të gatshme, mjete pune dhe sende të tjera”, thuhej në njoftimin e policisë.

Gjatë kësaj periudhe dhe një rast në tetor të vitit 2024, Njësiti i Hetimeve ka ndërmarrë veprime të shumta hetimore, ka intervistuar shumë dëshmitarë nga vendet e ngjarjes, ka bashkëpunuar me njësi policore të rajoneve të tjera, si dhe ka analizuar pamje nga kamerat e sigurisë.

“Si rezultat i hetimeve, më datë 13.01.2026, në rrugën “Ahmet Kaçiku” në Ferizaj, janë ndaluar dhe shoqëruar në stacionin policor pesë persona të mitur të dyshuar”, thuhet më tej.

Gjatë procesit të analizimit dhe krahasimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë, janë identifikuar katër persona të dyshuar dhe janë zbuluar gjithsej njëmbëdhjetë (11) raste, të ndodhura në këto data dhe lokacione:

– 04.10.2024, rruga “Bajram e Gursel Sylejmani” – vjedhje

– 03.08.2025, rruga “Dimitrije Tucovic” – vjedhje

– 16.09.2025, rruga “Astrit Bytyqi” – vjedhje

– 11.11.2025, rruga “Tahir Sinani” – vjedhje

– 26.11.2025, rruga “Ahmet Kaçiku” – vjedhje

– 30.11.2025, rruga “12 Qershori” – vjedhje

– 24.12.2025, rruga “Vëllezërit Gërvalla” – vjedhje

– 30.12.2025, rruga “Ramadan Rexhepi” – vjedhje e rëndë

– 30.12.2025, sheshi “Hyrë Emini” – vjedhje

– 03.01.2025, rruga “Sadik Tafarshiku” – vjedhje

– 04.01.2026, rruga “Ahmet Kaçiku” – asgjësim apo dëmtim i pasurisë.

Gjatë hetimeve janë sekuestruar një skuter dhe dy biçikleta, të cilat do t’u kthehen palëve të dëmtuara.

Të gjitha rastet janë kompletuar veç e veç dhe do të procedohen në Prokurorinë Themelore në Ferizaj.

Veprimet hetimore janë zhvilluar nën autorizimin e prokurorit të shtetit nga Departamenti për të Mitur. Po ashtu, janë njoftuar dy Qendra për Punë Sociale dhe prindërit e të miturve të përfshirë, për procedura të mëtejme.

Duke qenë se të dyshuarit, në kohën e kryerjes së veprave penale, kanë qenë nën moshën e përgjegjësisë penale (nën 14 vjeç), ata janë dërguar në një qytet të Kosovës dhe më pas u janë dorëzuar prindërve të tyre.

Të ngjashme