Katër të plagosur në një sulm pranë ish-zyrës së Charlie Hebdosë

Prishtinë | 25 Sht 2020 | 14:43 | Nga Ekonomia Online

Policia në Paris tha se katër persona janë plagosur në një sulm me thikë, pranë ish-zyrës së revistës satirike, Charlie Hebdo.

Kjo e fundit ka qenë skenë e një sulmi terrorist, në vitin 2015, ku kanë mbetur të vrarë 12 njerëz.

Dy nga të plagosurit të premten janë në gjendje kritike, tha policia, për të shtuar se një i dyshuar është arrestuar.

Autoritetet fillimisht besuan se dy sulmues kanë qenë të përfshirë, por tani thonë se bëhet fjalë për një person, i cili është arrestuar pranë Sheshit Bastille, në lindje të Parisit.

Një polic, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se oficerët e kanë rrethuar zonën, përfshirë edhe atë përreth ish-zyrës së Charlie Hebdo-së.

Sipas policisë, një paketë e dyshuar është vënë re aty pranë, por nuk janë gjetur eksplozivë.

Motivi i sulmit është i paqartë.

Po ashtu nuk dihet nëse ai është i lidhur me revistën Charlie Hebdo, e cila e ka zhvendosur zyrën diku tjetër, pasi është sulmuar nga militantët islamikë, pesë vjet më parë.

Kryeministri i Francës, Jean Castex, e ndërpreu një vizitë në rrethinë të Paristit, për të ndjekur zhvillimet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme