Katër persona kanë humbur jetën nga rrëzimi i një helikopteri në qytetin Ulan-Ude në rajonin siberian të Buryatias.
Aksidentin e kanë konfirmuar zyrtarët e shërbimit emergjent, të cilët kanë thënë se në vendin e ngjarjes kanë arritur ekipet e shpëtimit dhe policia
Në mesin e të vdekurve është edhe biznesmeni i njohur lokal dhe njëkohësisht pronari i helikopterit, Sergey Rogov, transmeton Gazeta Express.
Mediet lokale kanë raportuar se helikopteri u rrëzua përderisa po mundohej të ulej në tokë në një fshat afër Ulan-Udes. Besohet se në kohën e rrëzimit të helikopterit moti ka qenë i lig.
Aksidentet vdekjeprurëse me helikopterë nuk janë të rralla në Siberi. Në to përfshihen shpesh helikopterët e llojit “Mi-8”, ndërsa ekspertët fajësojnë mirëmbajtjen e dobët të tyre dhe nënvlerësimin e rregullave të sigurisë, shkruan “Free Europe”.