Katër të vdekur nga shpërthimi i veturës bombë në Somali

Prishtinë | 08 Jan 2020 | 12:38 | Nga Ekonomia Online

Së paku katër persona janë vrarë dhe dhjetë të tjerë janë lënduar pas shpërthimit të një veture bombë afër ndërtesës së kuvendit të Somalisë në Mogadishu.

Përgjegjësinë për këtë sulm e mori grupi militant “Al Shabaab”, i cili kohëve të fundit i ka shtuar sulmet në rajon. Para disa ditëve, i njëjti grup e realizoi një sulm në një bazë ushtarake amerikane në Kenia.

Në qytet u pa shumë tym i zi pas shpërthimit, ndërsa dëshmitarët thanë se disa vetura janë djegur.

“Një veturë e mbushur me lëndë shpërthyese u përpoq ta kalonte pikën e kontrollit, por pasi vozitësi nuk e arriti këtë, ai e aktivizoi bombën”, tha zyrtari policor, Adan Abdullahi.

Ai tha se në bazë të raporteve fillestare, në këtë sulm janë vrarë katër persona dhe janë plagosur dhjetë të tjerë.

Kryeqyteti somalez ka qenë vazhdimisht cak i sulmeve të grupit “Al Shabaab”, i cili për më shumë se një dekadë po lufton për ta rrëzuar qeverinë e vendit afrikan, shkruan “France24”, transmeton Express.

Më 28 dhjetor, 81 persona u vranë gjatë shpërthimeve në Mogadishu. Përgjegjësinë për to e mori grupi “Al Shabaab”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme