Një trafikues afgan me qenie njerëzore dhe tre shoqërues të tij bullgarë u dënuan me burgim të përjetshëm, për shkak të vdekjes së 71 migrantëve, të cilët u ngufatën brenda një kamioni, pranë një fshati të Austrisë, në vitin 2015.
Gjykata në Hungari e shpalli vendimin të enjten, pasi udhëheqësi i unazës afgane, Samsoor Lahoo, 32 vjeç, dhe shoqëruesit e tij u gjetën fajtorë për trafikim të organizuar të njerëzve dhe vrasje, në gusht të vitit 2015.
Gjykata zbuloi se ata kanë refuzuar të hapin dyert e kamionit, për të lejuar qarkullimin e ajrit, pavarësisht lutjeve të njerëzve që ishin brenda.
Në vendimin final, gjykatësi i rastit, Erik Mezolaki, tha se tre nga trafikuesit nuk do ta kenë mundësinë e lirimit me kusht. Ai tha se i katërti do të kalojë së paku 30 vjet në burg.
Nga tre bashkëpunëtorët bullgarë njëri u identifikua si zëvendës i Lahoo, i dyti si shofer i kamionit dhe i treti si shofer i një makine që shoqëronte kamionin.
Viktimat kanë qenë refugjatë nga Afganistani, Irani, Iraku dhe Siria.
Në mesin e tyre kanë qenë: tetë gra, katër fëmijë dhe 59 burra.