Eroll Salihu ka qenë goxha i emocionuar kur katër vjet më parë kishte përballë gazetarë të Kosovës dhe të huaj.
Nuk mund të gjente fjalë për t’i përshkruar emocionet e fitores historike të Kosovës. Edhe sot kur kanë kaluar katër vjet, flet me goxha emocion kur kujton pranimin e Kosovës në UEFA në Kongresin e 3 majit të vitit 2016.
Ai dhe legjenda, Fadil Vokrri, ishin dy përfaqësuesit e Kosovës në Kongresin e mbajtur në Budapest të Hungarisë.
Salihu e përshkruan si fitore të shekullit “ndeshjen” historike. Procesin e pranimit e ka nisur në vitin 1991, duke e thyer izolimin shumëvjeçar më 3 maj, derisa më 14 maj u pranua me të drejta të plota edhe nga FIFA.
“3 maji do të mbetet dita më e lumtur dhe ndër më të rëndësishmet të jetës time”, ka thënë Salihu për KOHËN.
Kujtojmë që pas shumë debatesh për dhe kundër, çështja e pranimit të futbollit të Kosovës në UEFA u nxor për votim të fshehtë në Kongresin e mbajtur të martën në Budapest. Dhe, me 28 vota për, 24 kundër dhe 2 të pavlefshme, Kosova u bë anëtarja e 55-të e UEFA-s. Si pengesë në këtë rrugëtim i kishte dalë Serbia, por edhe Zvicra, që e pati çel çështjen e lojtarëve kosovarë, por Kosova pati përkrahjen e Shqipërisë dhe, si asnjëherë tjetër, të vetë UEFA-s.
Një përkrahje të fuqishme në Kongresin në Budapest, Kosova pati nga zyrtari ligjor i atëhershëm i UEFA-s, Alasdair Bell, që u shpjegoi pjesëmarrësve të Kongresit se fakti se nuk je anëtar i Kombeve të Bashkuara nuk do të thotë se nuk je shtet. Ishte një pengesë që kishte hasur Kosova vazhdimisht, për shkak të nenit në statusin e UEFA-s.
Në sallën ku u mbajt Kongresi nuk pati ndonjë ovacion, por jashtë saj, ku ishin përfaqësuesit e FFK-së, një numër i madh gazetarësh kosovarë dhe të huaj pati festë dhe lot. Aty nuk mundi t’i mbante lotët as kryetari i FFK-së, Vokrri, që menjëherë u kthye në sallë për një fjalim falënderimi për derën e madhe të hapur në arenën ndërkombëtare.
Mundësinë e dhënë për të marrë pjesë në gara ndërkombëtare Kosova e ka shfrytëzuar goxha mirë. Është duke e ndjekur ëndrrën për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian.