Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur të enjten tubim elektoral në Klinë, ku kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, kritikoi qeverisjen aktuale dhe prezantoi programin e LDK-së për qeverisjen e ardhshme, raporton Ekonomia Online.
Abdixhiku tha se Kosova po përballet me krizë institucionale, përçarje shoqërore dhe stagnim ekonomik, duke theksuar se vendi ka nevojë për rikthim të normalitetit kushtetues dhe partneriteteve ndërkombëtare.
“Klina nuk është vetëm qytet në hartë; është një prej nyjeve morale dhe shoqërore të kësaj ane, një vend me karakter të fortë, me traditë pune, me njerëz që kurrë nuk janë lodhur për Kosovën. Klina gjithmonë ka ditur të qëndrojë drejt edhe kur vendi është lëkundur; të mos mashtrohet nga zhurma; të mos largohet nga maturia. Dhe sot, kur pas një viti të humbur në krizë kushtetuese dhe pas katër vitesh të humbura në populizëm e përçarje, Kosova ka nevojë të kthehet në normalitet është e drejtë që këtë rrugëtim ta vazhdojmë këtu, me ju. Nuk është e lehtë të flasësh për gjendjen e Kosovës sot. Sepse për herë të parë pas luftës, vendi ka mbetur pa funksionim institucional normal. Për herë të parë, Kushtetuta është shkelur hapur. Vendimmarrja është personalizuar. Kompetencat janë tejkaluar. Qeveria është futur në konflikt me Gjykatën Kushtetuese, ka sfiduar aleatët tanë strategjikë dhe ka futur vendin nën masa ndëshkuese që vazhdojnë ende. Për herë të parë që nga themelimi i shtetit, Kosova ka hyrë në krizë besimi krizë midis shtetit dhe qytetarit, midis institucioneve dhe popullit, midis fjalës së dhënë dhe realitetit të ashpër të përditshëm.
Kemi parë një qeveri që nuk njeh qytetar të barabartë, por njeh tifozë dhe armiq.
Një qeveri që e ka ndarë vendin në “patriotë” e “tradhtarë”, në “të mirë” e “të këqij”, në “tanët” dhe “të atyre”. Një qeveri që ka ndërtuar klimë frike, jo të bashkimit; klimë sulmesh, jo të dialogut; klimë mllefi, jo të qetësisë. Kjo gjuhë ka lënduar Republikën. Ka lënduar qytetarët. Ka lënduar shoqërinë. Klinë, edhe ju e keni ndier peshën e këtyre viteve. Çmimet janë rritur, pagat kanë mbetur të pamjaftueshme, standardi është përkeqësuar. Ndihmat para zgjedhjeve nuk i kanë zgjidhur problemet. Ndërkohë Kosova ka ngecur në energjetikë, duke djegur miliona euro në import. Ka ngecur në arsim, duke mbajtur fëmijët e fundit në Evropë për dije. Ka ngecur në shëndetësi, duke dërguar pacientët jashtë vendit me qindra miliona euro. Ka ngecur në infrastrukturë, duke mos ndërtuar asnjë rrugë të vetme të re për pesë vjet. Ka ngecur në drejtësi, ku politikanët qëndrojnë mbi ligj. Ka ngecur në diplomaci, duke krijuar përçarje me aleatët dhe duke marrë masa ndëshkuese”, ka deklaruar Abdixhiku.
Në programin e tij, Abdixhiku premtoi krijimin e Ministrisë së Familjes, mbështetje financiare për familjet e reja dhe të porsalindurit, investime në çerdhe dhe mësim tërëditor, rritje pagash në sektorin publik, si dhe investime kapitale prej 5 miliardë eurosh.
“Dhe përtej të gjitha këtyre, kemi një shoqëri të lodhur. Të rinjtë po largohen në numër alarmant. Bizneset po përballen me pasiguri. Qytetarët po humbin shpresën.
Nuk është e vështirë të kuptohet se ku kemi ardhur. Është rezultat i një qeverisjeje që ka vënë propagandën para punës, përplasjen para bashkëpunimit, hakmarrjen para shtetit. Kjo nuk është Kosova që e kemi ëndërruar. Nuk është Kosova që e kemi ndërtuar me mund. Nuk është Kosova që e kemi lënë amanet. Por ne kemi plan. Dhe ky plan nis nga njeriu – nga familja kosovare, nga fëmijët, nga prindërit, nga të rinjtë, nga ata që e mbajnë shtetin gjallë. Ne kemi propozuar Ministrinë e Familjes si angazhimin tonë kryesor për ta vendosur njeriun në qendër të shtetit. Jo si një zyrë tjetër burokratike, por si garanci se familja kosovare do të ketë përkrahjen që meriton. Me këtë ministëri, do të mbulojmë interesin për banesën e parë të çifteve të reja. Çdo të porsalindur do të mbështetet me 200 euro në muaj për një vit të tërë. Shteti do të jetë krah i familjes, jo shikues pasiv i sfidave të saj. Dhe kujdesi për fëmijët nuk mbaron me lindjen. Prandaj ne kemi paraparë 1 miliard euro për çerdhe dhe mësim tërëditor në gjithë vendin. Që asnjë nënë të mos detyrohet të zgjedhë mes punës dhe fëmijës. Që asnjë fëmijë të mos rritet pa orientim. Që çdo familje të ketë mbështetje reale. Mësimi tërëditor – që e nisëm me sukses në Prishtinë – do të shndërrohet në standard kombëtar. Edhe në Klinë. Edhe në çdo fshat të komunës. Ky është transformim shoqëror, jo thjesht arsimor.
Ne kemi marrë gjithashtu zotimin për rritjen e pagave në administratë me koeficientin 150. Në qeverinë tonë, paga e mësuesit do të jetë 1000 euro. Paga e infermierit 975 euro. E policit dhe ushtarit 900 euro.
Sepse paga nuk është shpenzim – është investim. Investim në shëndetësi, në arsim, në siguri, në të ardhmen e vendit. Dhe shteti nuk mund të jetë i fortë me administratë të dobët. Për të rinjtë, do të krijojmë Ministrinë e Digjitalizimit – motorin e së ardhmes. Do të aftësojmë 40 mijë të rinj në katër vjet, me paga evropiane, duke punuar nga Kosova. Kjo është rruga për të ndalur emigrimin. Kjo është rruga për të sjellë ekonomi moderne. Kjo është rruga për t’i hapur dyert e së ardhmes”, theksoi ai.
Tubimin në Klinë, Abdixhiku e cilësoi si fillim të “kthimit të Kosovës në rrugën e drejtë”, duke ftuar qytetarët të mbështesin LDK-në.
“Gjersa, për secilin të posadiplomuar në Kosovë, do të ketë punësim të garantuar me 500 euro pagë për 6 deri në 12 muaj të mbështetur nga vet shteti. Zhvillimi nuk vjen pa investime të mëdha. Prandaj programi ynë parasheh 5 miliardë euro investime kapitale: për infrastrukturë, energji, ujësjellës, hekurudha, sport, kulturë, shkolla e spitale. Do të ndërtojmë Qendrën e Re Klinike të Kosovës – projekt prej gjysmë miliard eurosh – investimin më të madh shëndetësor në historinë e vendit. Do të përfundojmë rrugët e lëna në harresë, autostradën e Anamoravës, dhe do të ndërtojmë centralin e ri me gaz, që Kosova të mos importojë më qindra miliona euro energji çdo vit. Dhe mbi të gjitha, ne do ta kthejmë normalitetin kushtetues. Shteti nuk mund të drejtohet me improvizim. Shteti nuk mund të mbahet pezull mbi një njeri. Shteti duhet të drejtohet me ligj, me institucione, me rregull, me përgjegjësi. Kosova ka vend të vetëm ku duhet të shkojë: drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ne do të rikthejmë partneritetet, do të heqim masat ndëshkuese dhe do të punojmë që vendi të marrë njohje të reja. Ju i dini këto tema. I ndjeni këto plagë. I përjetoni këto sfida çdo ditë. Por mbi të gjitha, ju e dini shumë mirë çfarë do të thotë të kesh në krye të vendit maturi, qetësi dhe përgjegjësi. Ju e dini dallimin mes udhëheqjes që ndërton ura dhe asaj që ndërton mure; mes politikës që bashkon dhe asaj që ndan; mes shtetit që punon dhe pushtetit që improvizon. Pikërisht për këtë arsye, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është thjesht një alternativë tjetër në këtë garë. LDK është zgjidhja e vetme serioze për Kosovën. Sepse ne vijmë me vlera të qarta, me njerëz të dëshmuar, me një listë përfaqësuese e të ndershme dhe me një program të plotë për jetën e qytetarit – nga lindja deri te puna. Ne nuk ju kërkojmë besimin për të eksperimentuar; ju kërkojmë besimin për të qeverisur me maturi, dije dhe përgjegjësi. Prandaj ftesa ime sonte është e qartë: le ta nisim nga Klina kthimin e Kosovës në rrugën e drejtë”, shtoi kandidati për kryeministër.


