Këngëtarja e njohur amerikane, Katy Perry, ka lënë të nënkuptohet se do ta ketë një bashkëpunim muzikor me Taylor Swiftin.
Pop ylli dhe anëtarja e shout “American Idol”, Perry, është inspiruar nga dy konkurrente femra në garën e njohur të këndimit, për ta krijuar kështu një duet me Taylorin, me të cilën më parë kishte mosmarrëveshje.
Konkurrentet Althea Grace dhe Camille Lamb e kënduan një cover të këngës “You Don’t Own Me”, dhe pasi ato arritën të kalojnë në fazën e dytë të garimit, Perry u kthye kah dy anëtarët tjerë të jurisë,
Luke Bryan dhe Lionel Richie, dhe tha: “A mund ta imagjinoni çfarë do të mund të bënim, sikur Taylor dhe unë të bashkëpunonim”.
Menjëherë pas kësaj deklarate, fansat e dy këngëtareve i pushtuan rrjetet sociale për ta shprehur entuziazmin rreth këtij bashkëpunimi të mundshëm.
“Ju lutem plotësojeni dëshirën tonë Talor Swift dhe Katy Perry”, kishte shkruar një adhurues. “Taylor Swift dhe Katy Perry do ta dominonin industrinë e muzikës së bashku, kjo është shumë e vërtetë,” deklaroi një tjetër fans.
Spekulimet për këtë bashkëpunim që konsiderohet se do të bënte bujë të madhe në skenën muzikore, vijnë pasi që 36-vjeçarja Perry dhe 31-vjeçarja Swift, u pajtuan dhe i rregulluan raportet ndërmjet vete në vitin 2018. Për katër vjet rresht ato konsideroheshin armike të njëra-tjetrës, për shkak të një keqkuptimi rreth angazhimit të valltarëve skenik.
Në qershor të vitit 2019, Perry mori pjesë në videoklipin e këngës “You Need to Calm Down” të Taylor Swiftit, ku u shfaqën duke vallëzuar me njëra-tjetrën dhe duke u përqafuar.