Kompania ndërtimore “Kawa Group” do të pranojë edhe 100 punëtorë të rinj, raporton Ekonomia Online.
Aplikimet për këto vende të lira të punës kishin filluar 10 ditë më parë dhe për 100 vende kanë aplikuar rreth 500 persona.
Drejtori i kësaj kompanie, Valon Vataj ka thënë për Ekonomia Online se të shtunën do të intervistohen 100 nga 500 persona sa kanë aplikuar.
“Konkursi është hapur qe 10 ditë dhe në këtë periudhë kanë aplikuar rreth 500 persona. Në kuadër të konkursit planifikohen të punësohen fillimisht rreth 100 persona pastaj pritet të ketë edhe një listë tjetër për 100 të tjerë”.
Vataj ka sqaruar se paga minimale që do të ofrojnë është 500 euro.
“Kemi filluar me iniciativën e aplikimit të sigurimit shëndetësor, sigurim jetësor, gjithashtu kemi ngritur edhe nivelin e pagës e cila do të jetë një pagë minimale minimum 500 euro për punëtorë të thjeshtë dhe punëtorë mjeshtër të cilëve i arrin vlere rreth 1200 euro në muaj”.
Vataj ka shtuar se ky standard është i përfillur në Kroaci dhe Slloveni.
“Ky standard është i përfillur në Kroaci dhe Slloveni dhe ne përmes këtij konkursi pretendojmë të instalojmë edhe te ndërtuesit tjerë që trajtimi i punëtorit të bëhet në mënyrë të duhur të mos ndodhin ikjet e mëdha nga Kosova, jo si rezultat i papunësisë, por si rezultat i mostrajtimit të mirë të punëtorëve qoftë financiar, qoftë e atyre pjesës së sigurimit në punë qoftë shëndetësore qoftë jetësore”.
“Punëtorët me kontratë do të jenë të punësuar rreth 12 muaj dhe do të paguhen për 12 muaj dhe po ashtu vlen të theksohet se në kuadër të këtij konkursi punëtorët do të kenë kontratë pune deri në 6 vite për kompleksin ‘Lord Rezidance'”.
Ndërsa ai ka edhe një mesazh për kompanitë tjera ndërtimore, raporton Ekonomia Online.
“Unë i bëjë apel të gjithave që të merret si shembull trajtim i joni. Kjo është ofertë minimale për punëtorë, por gradualisht do të jetë ngritje tjera dhe vlerësime aq sa e meritojnë punëtorët të cilët po na ikin çdo ditë”.
Ndërkaq Edison Zaskoka ka thënë se ka ardhur të aplikojë në “Kawa Group” pasi që kjo kompani po pretendon se ka kushte më të mira në krahasim me firmat tjera në vend.
“Jam i pa punë afër 1 muaj. Për momentin s’po ka kushte më të mira për me punuar. Firmat aktuale në Kosovë s’po ofrojnë kushte bash të mira. Kemi ardhur, kemi aplikuar, besoj që në letër po duken kushtet e mira tash çfarë i ofron kjo nuk e di”.
”Besoj që si firmë, në letër janë kushtet pak më të mira si punëtorë besoj që kemi me kaluar mirë këtu dhe shpresoj që kemi me pasë fatin me u pranuar këtu, për tjera sene i mbetet kohës kur fillojmë në punë”.
Një mendim të tillë kishte edhe Fatmit Kllakoçi i cili tha për Ekonomia Online se sipas intervistës Kawa Gropu ka kushte më të mira.
“Kam aplikuar për me punuar në mjeshtëri, moratim dhe latues. Për momentin jam i papunë dhe tash kam aplikuar këtu. Sipas intervistës qe më është bërë do të jetë më mirë se këta të tjerët dhe kjo më ka shtyrë të vijë këtu. Rrogat do të jenë dupllo”.
Kawa Group është themeluar në vitin 2009 dhe merret me fushën e ndërtimit, në kuadër të “Kawa Group” janë edhe disa sektorë që trajtojnë ndërtimtarinë.
“Kawa Group” do të fillojë të ndërtojë kompleksin “Lord Residence” në Veternik të Prishtinës.
Ky kompleks do të ketë qendër tregtare, hotel dhe kompleks banesor.