MMPH-ja s’ka dhënë pëlqim për ndërtimet në Badoc, në Ujësjellës thonë se s’kanë qenë të informuar

Prishtinë | 13 Jan 2020 | 15:27 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Paralajmërimi për ndërtimin e lagjes luksoze në brigjet e Liqenit të Badocit nuk ka marrë pëlqim nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) dhe as nga Komuna e Prishtinës.

Madje, kundërshtimet për ndërtimin e kësaj lagje janë rritur në mas të madhe, ku kanë bërë që qytetarë të shumtë ta kundërshtojnë këtë projekt përmes një peticioni online, të nënshkruar mijëra prej tyre.

Ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, ka thënë për Ekonomia Online, se nga dikasteri që ai e drejton nuk ka lëshuar asnjë lloj pëlqimi për ndërtimin e kësaj lagjeje.

“E them me përgjegjësi të plotë, jo për mandatin tim, por edhe para se unë të vij në krye të kësaj ministrie që kjo kompani nuk ka deri më sot asnjë lloj leje të marrë nga MMPH-ja për ndërtimet përreth zonës së Liqenit të Badocit”, ka thënë Matoshi për EO.

Matoshi, thotë se ligji është aktual është në mbrojtje të ujërave dhe si i tillë nuk do të lëshohet asnjë lloj leje nga MMPH-ja.

“Ligji është shumë i qartë. Ligji është në funksion të mbrojtjes së ujërave, parasheh zonat por edhe zonimi përreth Liqenit të Badocit, sikurse që është edhe Liqenet tjerë dhe në asnjë pjesë të zonave të mbrojtura ujore të Kosovës, nuk mund të merret leje ndërtimi për asnjë lloj projekti, jo vetëm për këtë projekt, por për asnjë lloj projekti të kësaj natyre”, ka thënë Matoshi.

Ndërkaq, nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka thënë se nuk kanë qenë as të informuar se do të ketë ndërtime përreth kësaj zone.

Drejtori i KRU “Prishtina”, Illir Abdullahu, ka thënë për Ekonomia Online, se për këtë çështje është informuar përmes medieve.

“Jo ne këto informacione i kemi marrë ditën e premte nga mediet që kanë të interesuara në lidhje me rastin dhe deri javën e kaluar nuk kemi pasur asnjë informate se në afërsi të Liqenit të Badocit do të ketë zhvillime, ndërtime të ardhmen edhe projekte të asaj natyre për vendbanime”, ka thënë ai.

Abdullahu ka përgëzuar nismat mobilizuese për ndalimin e ndërtimit të kësaj lagjeje përreth Liqenit të Badocit.

Thotë se pas ndryshimeve klimatike, Kosova po përballet me mungesë të ujit të pijshëm.

“Si nisma duhet të çmohen çdo aktivitet i cili është në mbrojtje të ujit, thjeshtë ujë të pijes këtij resursi i cili po shkon në rënie, ndërsa kërkesat po rriten edhe këto fakte e cilat jemi duke i prekur vet dhe kur ndryshimet klimatike po bëjnë që të shkojë një periudhë me disa muaj pa reshje dhe nivelet të bien, atëherë kur t’i shtohet edhe ky problem, atëherë ne çfarë të bëjmë. Ne duhet të bëjmë çmos që uji i pijes, resurset, rezervaret të mbrohen nga ajo që të kemi një siguri në të ardhmen me furnizim me ujë edhe të ketë një qëndrueshmëri”.

“Ne kemi këto informacione por është një udhëzim administrativ i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, ku paraqet edhe zonën e parë, të dytë dhe të tretë, që zona e tretë është një zonë e cila e kap gjithë ujëmbledhësin, që çdo aktivitet që bënë këto zona duhet të jetë i kontrolluar dhe paraprakisht të pajiset me leje qoftë mjedisore. Kështu që ne nuk kemi pas informacione”, ka thënë ai.

Ndërkaq, kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes rrjetit social “Facebook”, ka thënë se kompania në fjalë nuk ka leje ndërtimi dhe ende nuk ka aplikuar për leje ndërtimi, por ka aplikuar për kushte ndërtimore të cilat i paraprijnë aplikimit për leje.

“Kompania në fjalë nuk ka leje ndërtimi dhe ende nuk ka aplikuar për leje ndërtimi. Kompania në fjalë ka aplikuar për kushte ndërtimore të cilat i paraprijnë aplikimit për leje. Në këtë procedurë është që disa vite. Në Kushtet Ndërtimore i thuhet se para se të aplikojë për leje në Komunën e Prishtinës, duhet të aplikojë për pëlqimin për vlerësimin mjedisor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilën ende nuk e ka bërë”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

E, nga kompania “KAWA Group”, kanë thënë se kanë vetëm kushtet e ndërtimit dhe jo leje për ndërtimin e kësaj lagjes.

“Lakeside Gardens” është projekt i për bashkët i 4M Group dhe KAWA Group. Ky projekt tash për tash ka kushtet ndërtimore, të lëshuara nga Komuna e Prishtinës. Këto kushte janë lëshuar pas një vendimi të MMPH-së. Pas kushteve ndërtimore, ne kemi filluar punën për dokumentacionin e Lejës së Ndërtimit dhe Pëlqimit nga MMPH”.

“Ne nuk kemi lejen e ndërtimit dhe nuk kemi pasur të fillojmë punën atje, pa lejen e komunës.  Postimi prej të cilit është përhapur panikë ka qenë i marrëveshjes së brendshme për ndërtimin e kësaj lagje. Asnjëherë s’kemi thënë që kemi Lejen e Ndërtimit. Kjo punë është punë parimesh. Ne asnjëherë nuk kemi punuar pa leje, në asnjë vend dhe në asnjë moment. Projekti përveç që ka projektin ideor, ai është punuar edhe në projektin në detaj. Gjithçka është e paraparë, gjithçka. Në asnjë formë dhe në asnjë moment nuk përkrahim ndotjen e liqenit e as ndotjen e mjedisit kudoqoftë”, thuhet në përgjigjen dërguar për EO.

Grupi për mbrojtjen e Liqenit të Badocit, ka nisur nënshkrimin e një peticioni online në kundërshtim të planeve të kompanive private për ndërtime në afërsi të liqenit artificial.

Prej tri ditësh, ky grup që ka mbledhur mijëra përkrahës që po kundërshtojnë paralajmërimin e projektit ndërtimor të lagjes “Lakeside Gardens” nga kompania KAWA dhe 4M Group.

Të ngjashme