Klubi basketbollistik i Pejës pohon që nuk po përkrahet nga komuna e Pejës në organizimin e Final 4 të Ligës Unike.
“Të nderuar tifozë të KB Peja dhe adhurues të basketbollit kosovar, siç ju kemi njoftuar ditë më parë, klubi jonë ka marr në organizim Final 4 të Ligës Unike. Ky event i cili i bashkon dy shtetet, Kosovën dhe Shqipërinë, do ishte një mundësi për neve të tregojmë një organizim dhe spektakel që do ju mundësonte adhuruesve të basketbollit të kënaqen me basketboll. Në Pejë në muajin Shkurt kemi organizuar edhe Final 8 dhe çdo gjë ka shkuar shumë mirë duke i ofruar kështu qytetit ngjarje qe ju ka munguar për një dekadë”, thuhet në komunikatën e Pejës.
“Por duhet të ju njoftojmë që jemi thellë të zhgënjyer me mospërkrahjen nga Komuna e Pejës, respektivisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në qytetin tonë, për eventin e Final 4. Me mos aprovimin e kërkesës së parashtruar nga KB PEJA, FBK dhe FBSH dhe të protokoluar në DKRS, për vendosjen e reklamave në parket, siç thotë pika 7 (Brendimi i Plaestres) e kontratës në mes të KB PEJA dhe Liga Unike, e gjithë kjo ngjarje është vënë në dyshim të organizimit të kësaj ngjarje të madhe me rëndësi sportive dhe kombëtare”.
Ky klub po ankohet që komuna ua ka ndaluar vendosjen e reklamave në parket, gjë që sipas tyre e ka vështirësur organizimin e tyre.
“KB Peja tash e sa kohë nuk përkrahet financiarisht nga Komuna e Pejës, që njëherësh jemi të vetmit në Superligë dhe Ligë Unike pa përkrahje financiare nga Komuna. Dhe kjo që në fillim të sezonit na vendos në pozitë të pabarabartë me kundërshtaret tonë. Por fal sponsorëve dhe tifozëve tonë kemi vazhduar të organizohemi në mënyrë sa më të mirë duke qenë ekipi i dytë më i trofeshëm në Basketbollin e Kosovës dhe ekipi me më së shumti tifozë në komunën tonë”.
“Por, me vendimin e Komunës së Pejës për ndalimin e vendosjes se reklamave në parket e vështirëson edhe më shumë organizimin tonë. Këto reklama janë të lejuara në të gjitha palestrat e Kosovës. Komuna nuk mund të mjaftohet duke thënë se terminet dhe vendosja e reklamave led janë të mjaftueshme. Me ndalimin e reklamave drejtpërdrejt ndikon në të hyrat e ekipit dhe sukseset e saja dhe kjo është e pakuptim sepse për dallim nga ekipet tjera, ne nuk po ju bëhemi barrë financiare e taksapaguesve të Komunës dhe po funksionojmë me të hyra nga sponsorët tonë”.
Për më tepër, ata e kritikuan shefin e zyrës së sportit në Drejtorinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Valdet Shoshin, dhe kërkuan nga komuna që të reflektojnë.
“Gjithashtu jemi thellë të prekur me deklaraten në media e shefit të zyrës së sportit në DKRS, Valdet Shoshi, i cili në menyrë skandaloze fyen rëndë KB Pejën dhe tifozët e saj duke deklaruar “le të shkojnë le të luajnë në Gjakovë a Prizren, ku të ja u qet ma mirë”. A është kjo përgjigja të cilën duhet ta marrë një ndër ekipet më të suksesshme kosovare?”
“Presim në reflektim nga Komuna e Pejës për zgjedhjen e këtyre problemeve duke e gjetur një zgjidhje sa më të mirë dhe të qëndrojmë larg vendimeve dashakeqe plot inat të cilat vetem sa e damtojnë sportin kosovar”.
“Pas takimit me ekipin, duke mos dashur të krijojmë probleme teknike dhe psikologjike te lojtarët tonë, por edhe duke mos dashur t’i maltretojmë me mijëra tifozë e qytatarë të Pejes, Bordi i ekipeit ka vendos që ta organizojmë eventin në Pejë duke sakrifikuar mjetet tona nga buxheti aktual për ta organizuar eventin pasi që sponsorët të cilët ishin të kontraktuar dhe të gatshem ta përkrahin këtë event duke u reklamuar në hapësirat ne parket janë tërhequr”.