Ish-basketbollisti i shumë skuadrave të Superligës së Kosovës, Valentin Spaqi, i cili në kampionatin e kaluar të ligës së parë ka arritur sukses të jashtzakonshëm si trajner i KB Rahovecit, duke e kryer kampionatin me 24 fitore dhe vetëm një humbje, duke u bërë anëtar i elitës të basketbollit kosovar, nuk do të vazhdojë punën me KB Rahoveci.
KB Rahoveci njofton se nuk ka arritur marrëveshje mes klubit dhe trajnerit Valetin Spaqi, për vazhdimin e bashkëpunimit. Të dyja palët pas diskutimeve janë pajtuar që të mos vazhdojnë kontratën e bashkëpunimit.
“Kryesia e KB Rahoveci, falënderon trajnerin Valetin Spaqi për gjithë punën e tij që ka bërë me klubin e që ka rezultuar edhe me hyrjen në histori, inkuadrimi në Superligë”.
“Roli i trajnerit Spaqi dhe emri i tij në klubin tonë, por edhe nga tërë komuna e Rahovecit do të mbetet i shkruar në histori dhe nuk do të harrohet asnjëherë. Kryesia e Klubit Basketbollistik Rahoveci i dëshiron suksese të mëtutjeshme ku do që Valentin Spaqi, vazhdon karrierën e trajnerit në basketboll”
“Kryesia e klubit në mbledhjen e fundit ka analizuar edhe shqetësimet e shprehura nga lojtari i 6-të, që janë tifozët konkretisht ‘Vreshtarët’, të cilët për asnjë moment nuk e kanë lënë skuadrën vetëm dhe kanë një rol të rëndësishëm në këtë sukses historik të klubit tonë”, thuhet në njoftimin e KB Rahoveci.
Kryesia e KB Rahoveci dëshiron të siguroj “Vreshtarët” dhe gjithë fansat që përkrahin klubin se gjendja në skuadër është jashtëzakonisht e mirë, derisa përgatitjet për sezonin e ri në Superligë kanë filluar që një kohë të gjatë.
KB Rahoveci pret dhe kërkon nga gjithë fansat që të vazhdojnë të përkrahin klubin në elitën e skuadrave më të mira kosovare, pasi fansat i konsideron si faktorin kyç drejtë sukseseve të ardhshme.
“Kryesia e Klubit Basketbollistik Rahoveci është në bisedime me trajnerin e ri, i cili do të zyrtarizohet brenda disa ditësh dhe do të marrë drejtimin e skuadrës për përgatitjet për Superligë. Në të njëjtën kohë kryesia është e angazhuar që në skuadër të sjell përforcime të reja të nevojshme në mënyrë që të garojmë në nivelet e klubeve elitare në Kosovë”, thuhet në njoftim.