Drejtoresha ekzekutive e shoqatës Down Syndrome Kosova, Sebahate Hajdini-Beqiri dhe aktivisti i LGBTQ, Lend Mustafa, janë shpallur fitues të dy çmimeve për Demokraci 2022, të organizuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), raporton Ekonomia Online.
E para u shpall fituese për kontributin e saj për fëmijët me syndromen down, ndërsa i dyti për të drejtat e komunitetit të tij.
Drejtori ekzekutiv i KCSF-së, Taulant Hoxha, ka theksuar se përkundër sfidave të mëdha me të cilat ballafaqohet sektori i shoqërisë civile në Kosovë, gjatë vitit 2022 ka pasur zhvillime pozitive në zgjerimin e hapësirës së veprimit të të gjithë sektorit.
“Sot jemi mbledhur këtu për të festuar për dy rastet e veçanta fituese të Çmimit, por gjithashtu edhe gjithë angazhimin qytetar. Për të festuar një sektor qytetar i cili problemet nuk i përjeton si pengesë për t’u ndalur, por si sfida të cilat duhen tejkaluar me angazhim të përditshëm. Dy nismat që sot do të pranojnë Çmimin për Demokraci janë vetëm disa prej shumë e shumë nismave tjera të jashtëzakonshme që kanë ndodhur gjatë vitit të kaluar”, ka thënë ndër të tjera Hoxha.
Ndërkaq Katharina Stocker, udhëheqëse e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë pasi ndau çmimin për Hajdini-Beqirin, vlerësoi lartë aktivizmin e guximshëm dhe dedikimin e saj.
Drejtoresha ekzekutive e shoqatës Down Syndrome Kosova, Sebahate Hajdini- Beqiri, tha se me këtë çmim po konfirmohet që kauza që udhëheqë ka sensibilizuar shumë qytetarë e institucione duke qenë një kauzë me një histori frymëzuese, me një të tashme sfiduese por me shumë plane e përpjekje për një të ardhme me më shumë mirëqenie për personat me Syndromen Down.
“Jam shumë e nderuar sepse çmimin po e marr nga një organizatë siç është KSCF dhe jeni shembull i mirë i shoqërisë. Vendimi dhe guximi për t’i integruar fëmijët me Syndromen Down nuk do të kishte formë pa mbështetjen tuaj”, tha ajo, teksa citoi edhe një thënie të atdhetarit Jusuf Gërvalla.
“Është një thënie që çdo ditë e kam me rrugëtuar se ‘Rruga e nderit është më e zorshme por është më e mira, atëherë kush ka kërkuar nderë, nder ka gjet’”, ishin fjalët e saj.
Nasrin Pourghazian, udhëheqëse e Agjencisë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar në Kosovë, pasi ndau çmimin për Lend Mustafa, theksoi se për Suedinë, mbështetja ndaj personave LGBTIQ+ është shumë e rëndësishme ngase bëhet fjalë për të drejtat e njeriut.
“Është gjithashtu një nga fushat më të vështira – një fushë me sfida dhe rreziqe për të gjithë njerëzit e përfshirë. Njerëzit si Lendi dhe shokët e shoqet e tij luftojnë dhe përballen me kërcënime, dhunë dhe diskriminim në forma të ndryshme. Guximi është thelbësorë në këtë betejë, dhe është shumë mbresëlënëse të shohësh se si kjo është vërtetuar nga Lendi”, tha ajo.