Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), mbajti tryezën e diskutimit “Qëndrimet dhe sjelljet e votuesve të rinj”, gjatë së cilës u publikua Raporti i hulumtimit të opinionit lidhur me qëndrimet dhe preferencat politike të të rinjve.
Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, tha se është interesante, ashtu siç e theksojnë edhe rezultatet e projektit, ndryshimi i gjeneratës së re.
Sipas O`Connell, të rinjtë kanë filluar t`i shohin politikanët jo si yje sporti por si punëtor.
“Ne kemi shumë të kënaqur që kemi përkrahur këtë projekt dhe të festojmë përmbylljen e këtij projekti dyvjeçar nga KDI. Ne kemi parë rezultatet por çka është për mua shumë e rëndësishme dhe interesante është që ka filluar kuptimi i ndryshimit sidomos tek gjenerata e re”.
“Ne kemi parë në gjeneratën e re që kanë filluar të kërkojnë më shumë kanë filluar të shohin politikanët jo si yje të sportit por ai punëtor she kjo është shumë e nevojshëm nuk është si politikanët në Kosovë janë më mirë ose më keq se vendet e tjera të Evropës por çështja është si kuptohet zbatimi i politikës”, tha ai.
Sipas hulumtimit, përqindja e të rinjve të cilët nuk e shohin asnjë politikan aktual si model që duhet ndjekur, është më e lartë se përqindja e politikanit që shihet si model.
Ahmet Rushiti, i cili prezantoi raportin , tha se 22.5% e të rinjve të intervistuar nuk kanë ndonjë politikan model.
Ndërsa pjesa tjetër, sipas Rushitit, 13.7% kanë deklaruar se e kanë model Albin Kurtin.
“Fakti shqetësues ose i mirë është se 22.5 % e tyre kanë thënë se nuk kanë ndonjë politikan model të preferuar ndërsa pjesa tjetër kanë thënë se është Albin Kurti me 13.7%, pastaj Ramush Haradinaj, Vjosa Osmani, Shpend Ahmeti, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e të tjerë”, u shpreh ai.
Pjesëmarrës në tryezën në të cilën u prezantuan këto rezultate ishin edhe përfaqësues të disa prej partive në Kosovë.
Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fidan Rekaliu, tha se janë duke punuar që të adresojnë problemet e të rinjve në institucionet e Kosovës.
Ndërsa, Fitore Pacolli nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se ajo çfarë e dallon LVV-në nga partitë e tjera është se nuk bëjnë ndarje të të rinjve nga grupet e tjera udhëheqëse të partisë prej nga ajo vjen.