Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë si dhe Autoritetit Kosovar të Konkurrencës që t’i hetojnë tenderët e Ministrisë së Shëndetësisë gjatë kohës së pandemisë, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për medie, KDI ka shpalosur gjetjet preliminare, ku kanë gjetur disa mangësi gjatë këtij procesi.
Diana Metushi-Krasniqi nga KDI tha se jë ndër çështjet më prioritare gjatë krizave është parandalimi i krizave në sistemin shëndetësor.
“Kemi gjetur se sa i përket transparencës, ishin publike në platformën elektronike E-prokurimi, në të gjitha kërkesat që KDI ka pasur dhe MSh është përgjigjur brenda afateve ligjore. MSh ka shfrytëzuar procedurat emergjente në të gjitha rastet kur kjo procedurë është shfrytëzuar MSh ka përmbushur obligimet emergjente”, tha ajo.
“KDI u bënë thirrje organeve të drejtësisë të hetojnë këto tendere. MSh duhet të publikojë në platformën E-prokurimit të gjitha dokumentet e procedurës, qeveria duhet të sigurojë që të gjitha vendimet të jenë të publikuara në faqet zyrtare. Autoriteti Kosovar i Konkurrencës duhet të ndërmarrë masat përkatëse për manipulim të tregut në situata të tilla”, tha ajo.
Liridona Behrami tha se në disa nga tenderët për pajisje mjekësore do të mund të kurseheshin mbi 60 mijë euro.
“Kishte raste kur ky komision nuk kishte bërë vlerësim jo të duhur me çmime jonormalisht të ulëta dhe jonormalisht të larta, sidomos në blerjen e dorezave. Si shumë raste për të 3 lotet që janë kërkuar do të kishte paguar 80,709.33 euro e jo 159,071.3 euro sa pagoi në realitet, rrjedhimisht do të kurseheshin mbi 60 mijë euro. Për të krijuar konkurrencë sa më të madhe Ministria e Shëndetësisë kishte ofruar për ofertim nga 3-23 operatorë ekonomik, por është shqetësues që vetëm një numër i vogël i operatorëve i është përgjigjur kësaj thirrje. MSh në disa raste për material kishte arritur çmime të ultë 42 për qind kurse për materiale mbrojtje çmimet ishin rritur deri më 74 për qind”, tha Behrami.